Agjencia e Inteligjencës Financiare ka evidentuar në raportin e vitit 2025 një skemë të dyshuar të investimeve në pasuri të paluajtshme me burime fondesh të panjohura ose të pajustifikuara, ku një shtetas dhe një kompani ndërtimi rezultojnë të përfshirë në një numër të lartë transaksionesh me prona të blera me çmime shumë më të ulëta se tregu dhe të rishitura më pas me fitime të mëdha.
Rasti konsiderohet si një nga skemat më të avancuara të dyshuara për mashtrim financiar dhe pastrim parash përgjatë vitit të kaluar.
Sipas raportit, shtetasi A, gjatë viteve 2021-2025, ka kryer një sërë investimesh në prona në zona të ndryshme të Tiranës dhe Kavajës. Në vitin 2021 ai investoi në Kavajë, ku brenda një periudhe 3-mujore bleu 7,500 m² truall kundrejt vlerës 260,000 euro dhe përfitoi përmes dhurimit edhe 1,500 m² të tjera.
Më pas, në vitin 2022, shtetasi A bleu në zonën e Prezës 8,400 m² truall me çmim vetëm 520 lekë/m². Ndërsa gjatë viteve 2023-2025 ai realizoi numrin më të madh të investimeve në zonën e Dajtit në Tiranë, ku përmes kontratave të shitblerjes përfitoi 56,000 m² “tokë arë” me çmime që varionin nga 4 deri në 21 euro/m².
Raporti evidenton se përveç blerjeve me çmime shumë më të ulëta se tregu, janë konstatuar edhe raste të rishitjes së pronave brenda një kohe të shkurtër me vlera shumë herë më të larta.
Një nga rastet e përmendura është ai i marsit 2022, kur shtetasi A i shiti shtetasit B një pronë “tokë arë” me sipërfaqe 6,200 m² për 423,000 euro, ndërkohë që vetëm pak muaj më parë e kishte blerë për 30,000 euro.
Po në të njëjtën datë, shtetasi A realizoi edhe një tjetër shitje ndaj të njëjtit person, ku një pronë prej 1,850 m² u shit për 180,000 euro, ndërsa më parë ishte blerë për vetëm 15,000 euro.
Agjencia e Inteligjencës Financiare evidenton gjithashtu se në të njëjtën zonë ku shtetasi A kishte blerë prona me çmime 4-21 euro/m², janë kryer edhe transaksione me shoqërinë “X”, nga e cila ai kishte blerë prona të të njëjtit lloj me çmim rreth 75 euro/m², duke ngritur dyshime për diferenca të pajustifikuara në vlerësimin e pronave.
Sipas raportit, shtetasi A regjistroi në vitin 2022 edhe shoqërinë “Beta”, me aktivitet në ndërtim dhe gërmime, përmes së cilës përfitoi sipërfaqe të konsiderueshme tokash në Petrelë dhe Mullet. Konkretisht, kompania rezulton të ketë përfituar rreth 52,000 m² në Petrelë dhe 16,000 m² në Mullet.

Nga analiza e dokumenteve financiare është konstatuar se shoqëria “Beta”, megjithëse e krijuar rishtazi, ka shfaqur aktivitet financiar të konsiderueshëm që në vitin e dytë të operimit. Sipas të dhënave të deklaruara, kompania ka raportuar fitime deri në rreth 1.7 milionë euro, ku pjesa më e madhe është kaluar në rezerva, ndërsa dividendët e shpërndarë kanë qenë rreth 70,000 euro.
Raporti ngre dyshime edhe për burimin e financimit të makinerive të regjistruara në pronësi të kompanisë që në vitin e parë të aktivitetit.
Nga verifikimet e kryera, Agjencia e Inteligjencës Financiare konstatoi se shtetasi A ka përdorur si burim financimi fondet e përfituara nga shitjet e pronave në vlerat 423,000 euro dhe 180,000 euro. Gjithashtu janë konstatuar kalime fondesh nga llogaritë e shoqërisë “X” si pagesa ndërmjetësimi dhe transferta nga kompania “Beta”.
Në llogaritë e “Beta” janë evidentuar kreditime të shumta për likuidim faturash dhe disbursime kredish, të cilat sipas raportit janë përdorur pjesërisht për aktivitetin e kompanisë dhe pjesërisht për pagesa të kontratave të shitblerjes së pasurive të paluajtshme.
Nga verifikimet në Agjencia Shtetërore e Kadastrës rezulton se shtetasi A dhe kompania “Beta” zotërojnë një numër të lartë pasurish të paluajtshme.
Agjencia e Inteligjencës Financiare thekson se dyshimet kryesore lidhen me numrin e madh të transaksioneve me prona të blera nën çmimin e tregut, rishitjen e shpejtë të disa pronave me vlera shumë herë më të larta, nisjen e investimeve në prona që në vitin 2021 përpara rritjes së aktivitetit të biznesit dhe zgjerimin e shpejtë të kompanisë të shoqëruar me investime të konsiderueshme në makineri dhe pajisje. Për këto arsye, rasti është referuar për hetime të mëtejshme pranë organeve të zbatimit të ligjit. /ekofin.al
