Problemet e raportuara mbi qëndrueshmërinë e disa objekteve në projektin “Durrës Marina” kanë detyruar institucionet shtetërore të ndërhyjnë me inspektime në terren dhe kërkesa për masa urgjente teknike. Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) konfirmoi zyrtarisht se dy prej godinave të para të kompleksit kanë pësuar ulje në terren, ndërsa kërkoi nga kompania zbatuese realizimin e projektpërforcimeve për garantimin e sigurisë strukturore.
Sipas deklaratës së IKMT-së, pas raportimeve në media mbi problematika të mundshme në kantierin e projektit, u ngrit një grup i posaçëm inspektimi me pjesëmarrjen e inspektorëve të IKMT-së, përfaqësuesve të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Durrës dhe ekspertëve të Institutit të Ndërtimit.
Raporti topografik i Institutit të Ndërtimit evidentoi se objekti 02, me 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 centimetra, ndërsa objekti 04, me 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 centimetra.
Pas këtyre konstatimeve, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projektpërforcimeve teknike. Sipas institucionit, ndërhyrjet duhet të miratohen më parë nga autoritetet përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit.
Deklarata zyrtare erdhi pas publikimit të një dëshmie nga një nënkontraktor i përfshirë në punimet e betonit në kantier, i cili pretendon se dy godinat e para të projektit kanë pësuar zhytje shumë më të mëdha, deri në 74 centimetra. Sipas tij, problematika lidhet me natyrën ranore dhe të paqëndrueshme të terrenit pranë detit dhe mungesën e pilotave të thella që konsiderohen të domosdoshme për këtë lloj ndërtimi.
“Terreni nuk e mban objektin. Është kënetë, rërë. Duhej bërë ndërtimi mbi pilota, por për të kursyer kostot, është ndjekur një procedurë e gabuar”, citohet të ketë deklaruar nënkontraktori për emisionin “Piranjat”.
Ai pretendon gjithashtu se pas shfaqjes së problemeve janë konstatuar dëmtime në struktura, përfshirë çarje dhe deformime në elementë të ndryshëm të godinave, ndërsa aktualisht po kryhen ndërhyrje përforcuese me pilota anësore.
Paralelisht, matjet e realizuara me dron nga emisioni investigativ “Piranjat” pretendojnë se tregojnë diferenca nivelesh nga 70 centimetra deri në 1 metër mes strukturave të kompleksit, çka sipas tyre përputhet me denoncimet e bëra nga burime brenda projektit.
“Durrës Marina”, i njohur ndryshe si projekti i Alabarit, është një nga investimet më të mëdha të shpallura në Shqipëri, me një vlerë të deklaruar prej rreth 3.2 miliardë eurosh. Projekti synon transformimin e zonës së portit të Durrësit në një marinë turistike dhe rezidenciale me kulla banimi, hotele dhe infrastrukturë moderne. Por problematikat e fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi standardet teknike të ndërtimit dhe sigurinë afatgjatë të strukturave në një nga projektet më ambicioze të zhvillimit urban në vend. /ekofin.al
