Pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) ka pasur një rritje të vazhdueshme të ankesave të qytetarëve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë vitit 2025, ku shqetësimet kryesore lidhen me shkelje procedurale, vendimmarrje të padrejta dhe zvarritje të proceseve gjyqësore. Megjithatë, raporti tregon se pjesa më e madhe e ankesave janë arkivuar, ndërsa vetëm një numër i kufizuar ka kaluar në fazë hetimi disiplinor.
Sipas raportit të ILD-së, gjatë vitit 2025 janë depozituar 1,792 ankesa të reja, nga të cilat 1,718 nga persona fizikë dhe 74 nga persona juridikë. Bashkë me 1,480 ankesa të mbartura nga viti 2024, numri total i çështjeve në trajtim arriti në 3,272 ankesa. Nga këto, ILD shqyrtoi 1,635 ankesa gjatë vitit 2025, ndërsa 1,637 ankesa mbetën ende në proces dhe do të mbarten për trajtim në vitin 2026.
Nga ankesat e shqyrtuara, 1,211 janë arkivuar pas shqyrtimit fillestar, 372 janë arkivuar pas verifikimit dhe vetëm 52 ankesa kanë përfunduar me hetim disiplinor. Pra në total, 97% e ankesave të bëra nga qytetarët u mbyllën si procedura, duke mos nisur asnjë verifikim disiplinor ndaj magjistratëve.
Raporti evidenton se pjesa më e madhe e pretendimeve lidhet me zbatimin e gabuar të ligjit ose me shkelje të rënda procedurale, që përbëjnë 41% të rasteve. Më pas renditen pretendimet për vendimmarrje të padrejtë me 26% dhe zvarritja e proceseve gjyqësore e hetimore me 23%. Një peshë më të vogël zënë shkeljet e etikës me 8% dhe konfliktet e interesit me 4%.
Ankuesit kanë ngritur gjithashtu shqetësime për mosarsyetim të vendimeve, mosrespektim të afateve procedurale, mungesë transparence në ndarjen e çështjeve dhe mosveprime nga prokurorët dhe gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit.
Nëpërmjet 1,635 ankesave të shqyrtuara nga ILD janë ngritur pretendime kryesisht ndaj magjistratëve gjyqtarë dhe prokurorë. Konkretisht, 672 ankesa ose 41% kanë pasur si objekt gjyqtarë, 470 ankesa ose 29% prokurorë, ndërsa 375 ankesa ose 23% janë ngritur njëkohësisht ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në 118 raste, ose 7% të ankesave, nuk është identifikuar subjekti ndaj të cilit ngriheshin pretendimet.
Sa i përket profilit të ankuesve, raporti tregon se 1,482 ankesa janë depozituar nga persona fizikë dhe 151 nga persona juridikë. Nga këto të fundit, 92 ankesa janë paraqitur nga institucione publike, 40 nga subjekte private, 16 nga fondacione dhe organizata të shoqërisë civile dhe 3 nga institucione fetare. Gjithashtu janë regjistruar edhe 2 ankesa anonime.
Pesha më e madhe e ankuesve rezulton nga qarku i Tiranës, me 693 ankues ose 38.7% të totalit, i ndjekur nga Durrësi me 122 ankues dhe Elbasani me 95 ankues. Qarqet me numrin më të ulët të ankuesve janë Berati me 38 ankues, Kukësi me 23 dhe Dibra me 17 ankues.
Raporti evidenton gjithashtu se 670 ankues, ose 37.3%, kanë depozituar vetëm një ankesë pranë ILD-së, ndërsa 752 ankues, ose 42%, kanë paraqitur më shumë se një ankesë për të njëjtin subjekt./ekofin.al

