Rikthimi i shtesës natyrore negative në tremujorin e parë të vitit 2026 sinjalizon se tendenca e plakjes dhe tkurrjes së popullsisë në Shqipëri mbetet e fortë, pavarësisht një rritjeje të lehtë të lindjeve. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se në tre muajt e parë të këtij viti u regjistruan 5.146 lindje dhe 5.514 vdekje, duke bërë që vendi të humbasë natyrshëm 368 banorë vetëm nga diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve.
Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, situata paraqitet disi më e përmirësuar. Lindjet janë rritur me 1%, ndërsa vdekjet kanë rënë me 7,4%, çka tregon një ngadalësim të ritmit të përkeqësimit demografik.
Tirana vazhdon të mbajë peshën kryesore të zhvillimeve demografike në vend. Vetëm në tremujorin e parë të vitit, në kryeqytet u regjistruan 2.438 lindje dhe 1.422 vdekje, duke e bërë qarkun me diferencën më pozitive natyrore në Shqipëri. Në anën tjetër, Gjirokastra mbetet qarku me numrin më të ulët të lindjeve, me vetëm 59 foshnje të regjistruara gjatë periudhës janar-mars.
Sipas të dhënave të INSTAT, në gjashtë qarqe lindjet kanë shënuar rritje krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa në pesë qarqe kanë rënë. Rritjen më të madhe të lindjeve e regjistroi Berati me +14,5%, ndërsa rënien më të fortë Gjirokastra me -23,4%.
Ndërkohë, vdekjet kanë rënë pothuajse në të gjithë vendin. Vetëm një qark ka regjistruar rritje të vdekjeve në raport me T1 2025, ndërsa 11 qarqe kanë shënuar ulje. Rritja më e lartë e vdekjeve është regjistruar në Elbasan me +3,2%, ndërsa Kukësi ka pasur rënien më të madhe me -28,3%.
Grafiku i publikuar nga INSTAT tregon se tremujori i parë vazhdon të jetë tradicionalisht periudha më problematike për shtesën natyrore, pasi numri i vdekjeve tejkalon lindjet, ndërsa përmirësimi zakonisht vjen gjatë muajve të verës dhe vjeshtës.
Edhe pse viti 2025 u mbyll ende me shtesë natyrore pozitive prej 1.147 banorësh, treguesit e tremujorit të parë të 2026 tregojnë se presionet demografike mbeten të forta, të ndikuara nga emigracioni, plakja e popullsisë dhe niveli i ulët i lindshmërisë. Në total, gjatë vitit 2025 u regjistruan 22.541 lindje dhe 21.394 vdekje, të dy treguesit në rënie krahasuar me vitin paraardhës. /ekofin.al


