Vetëm një ditë pasi u çel zyrtarisht sezoni turistik veror, qyteti i Vlorës është përballur me mungesë totale të ujit të pijshëm, duke rikthyer në vëmendje një nga problemet më të vazhdueshme të qytetit bregdetar në kulmin e fluksit turistik.
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njoftoi se shkak i situatës është një avari e rëndë në tubacionin kryesor 500 të furnizimit me ujë, pranë zonës “Miramare”, defekt që ka sjellë stakimin e të gjitha stacioneve të ujësjellësit në qytet.
Sipas njoftimit zyrtar, grupet teknike janë angazhuar në terren dhe po punojnë gjatë gjithë natës për riparimin e avarisë dhe rikthimin e furnizimit me ujë në kohën më të shpejtë të mundshme.
Situata ka ngritur shqetësime jo vetëm për qytetarët, por edhe për bizneset turistike, hotelet dhe strukturat akomoduese, në një moment kur Vlora ka hyrë zyrtarisht në sezonin veror dhe pret rritje të ndjeshme të numrit të turistëve.
Problemet me furnizimin me ujë në Vlorë janë kthyer në një fenomen të përsëritur ndër vite. Institucionet lokale e kanë lidhur shpesh këtë situatë me investimet dhe ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit, por ndërprerjet e furnizimit vijojnë të mbeten një shqetësim serioz për qytetin turistik.
Në reagimin e saj, ndërmarrja e ujësjellësit kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve deri në normalizimin e situatës, ndërsa nuk është bërë ende e ditur një orar i saktë për rikthimin e plotë të furnizimit me ujë.
