Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, deklaroi sot se Bashkimi Evropian do të disbursojë rreth 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, Kos theksoi se zbatimi i Planit të Rritjes po ecën sipas parashikimeve dhe se fondet pritet të shpërndahen në ditët në vijim.
“Në zbatimin e Planit të Rritjes gjithçka po ecën shumë mirë dhe në ditët në vijim do të disbursojmë afro 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë”, u shpreh ajo.
Sipas Komisioneres, Bashkimi Evropian po sjell rezultate konkrete edhe në procesin e integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun evropian. Ajo kujtoi se javën e kaluar Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në sistemin SEPA.
Kos bëri të ditur gjithashtu se po vijojnë përgatitjet për samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 5 qershor në Podgorica.
“Pres një angazhim shumë të fortë nga të gjithë kandidatët e Ballkanit Perëndimor për të qëndruar të palëkundur në rrugën e tyre evropiane”, deklaroi ajo.
