Shqipëria po synon të forcojë më tej pozicionin e saj si destinacion turistik dhe investimesh në rajon, përmes një bashkëpunimi të ri institucional mes Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT). Drejtueset e dy institucioneve, Laura Saro dhe Zana Çela nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi që synon të nxisë investimet strategjike në sektorin e turizmit dhe të rrisë promovimin ndërkombëtar të vendit.
Marrëveshja vendos bazat për një koordinim më të fortë mes dy institucioneve në identifikimin dhe promovimin e projekteve turistike, lehtësimin e komunikimit me investitorët vendas dhe të huaj, si edhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta promovuese në tregjet ndërkombëtare.
Në fokus të bashkëpunimit do të jenë investimet në infrastrukturën turistike, zhvillimi i resorteve, produkteve inovative dhe destinacioneve të reja, me synimin për të rritur konkurrueshmërinë e Shqipërisë në industrinë globale të turizmit.
Ky zhvillim vjen në një moment kur turizmi është kthyer në një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, ndërsa vendi po tërheq gjithnjë e më shumë interes nga investitorë ndërkombëtarë për projekte në bregdet, turizëm malor, agroturizëm dhe struktura akomoduese me standarde të larta.
Sipas draftmemorandumit, AIDA dhe AKT do të bashkëpunojnë për promovimin e Shqipërisë si një destinacion konkurrues për investime në hoteleri, resorte turistike dhe shërbime të lidhura me turizmin. Një tjetër element i rëndësishëm është edhe shkëmbimi i informacionit mbi projektet strategjike dhe potencialet rajonale të zhvillimit, me synimin për të orientuar investimet drejt zonave me potencial të lartë ekonomik dhe turistik.
Në kuadër të marrëveshjes parashikohen gjithashtu forume investimesh, konferenca ndërkombëtare dhe takime B2B me investitorë potencialë, të cilat synojnë të rrisin prezencën e Shqipërisë në hartën globale të investimeve turistike.
Një rol të rëndësishëm pritet të kenë edhe projektet pilot në zona me potencial të lartë turistik, ku do të testohen modele të reja investimi dhe zhvillimi. Përmes këtyre projekteve, institucionet synojnë të krijojnë histori suksesi që mund të shërbejnë si modele për investime të tjera në të ardhmen.
Bashkëpunimi mes AIDA-s dhe AKT-së shihet gjithashtu si një instrument për forcimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, në një kohë kur vendi po promovon veten jo vetëm si destinacion turistik në rritje, por edhe si një treg me potencial për investime strategjike në rajon.
