Përdorimi i çerdheve dhe kopshteve në Shqipëri mbetet i kufizuar dhe i pabarabartë, ndërsa kostoja e kujdesit privat për fëmijët mund të rëndojë ndjeshëm mbi buxhetin e familjeve, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore.
Të dhënat tregojnë se pjesëmarrja në arsimin dhe kujdesin për fëmijët e vegjël në rajon është mesatarisht rreth 51%, ndërsa Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, po i afrohet mesatares së vendeve të OECD-së prej 84%. Megjithatë, për fëmijët nën tre vjeç, pjesëmarrja mbetet shumë më e ulët se mesatarja e OECD-së prej 32%, çka do të thotë se shumica e fëmijëve të vegjël qëndrojnë në shtëpi.
Në praktikë, përdorimi i shërbimeve të kujdesit për fëmijët ndryshon shumë sipas të ardhurave dhe vendbanimit. Në zonat urbane të rajonit, rreth 58% e familjeve me fëmijë nën 6 vjeç përdorin çerdhe apo kopshte, ndërsa në zonat rurale vetëm 30%. Edhe në Shqipëri vërehet i njëjti trend, ku familjet më të pasura dhe ato që jetojnë në qytet kanë më shumë mundësi të përdorin këto shërbime, ndërsa familjet me të ardhura më të ulëta mbeten më shpesh jashtë sistemit.
Kostoja është një nga pengesat kryesore. Kur familjet nuk kanë akses në institucione publike, ato detyrohen të përdorin shërbime private, të cilat janë shumë më të shtrenjta. Në rajon, tarifat private janë rreth dy herë më të larta se ato publike në Bosnje dhe Hercegovinë dhe deri në 16 herë më të larta në Maqedoninë e Veriut. Për një familje me dy fëmijë dhe vetëm një prind të punësuar, kujdesi privat për fëmijët mund të përbëjë nga 30% të të ardhurave familjare në Serbi deri në 63% në Maqedoninë e Veriut, ndërsa shërbimet publike kushtojnë shumë më pak, përkatësisht 10% dhe 6% të të ardhurave.
Një tjetër arsye pse shumë familje nuk i dërgojnë fëmijët në çerdhe apo kopshte është preferenca për kujdes në shtëpi. Mesatarisht, 36% e familjeve në rajon deklarojnë se nuk përdorin këto shërbime, sepse për fëmijët kujdesen familjarët. Kjo lidhet edhe me pritshmëritë sociale që kujdesi për fëmijët të mbetet kryesisht përgjegjësi e grave, gjë që ndikon drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës.
Raporti thekson se, edhe pse numri i çerdheve dhe kopshteve është rritur, oferta mbetet e pamjaftueshme, sidomos në zonat rurale, dhe shpesh nuk përputhet me kërkesën. Në disa vende të rajonit, si Serbia apo Bosnja, lista e pritjes ka qenë e gjatë, ndërsa në Kosovë infrastruktura mbulon vetëm rreth 30% të kërkesës për kujdes ndaj fëmijëve.
Në këtë kontekst, Banka Botërore vlerëson se zgjerimi i shërbimeve për kujdesin e fëmijëve është thelbësor jo vetëm për zhvillimin e tyre, por edhe për ekonominë. Rritja e aksesit në këto shërbime mund të krijojë rreth 24,000 vende të reja pune në rajon, përfshirë rreth 16,000 vende për mësues dhe 8,000 role administrative dhe mbështetëse, si dhe të rrisë punësimin e grave me mbi 1%.
Raporti tregon se Shqipëria ka bërë progres në krahasim me vendet e tjera të rajonit, por sfidat mbeten të mëdha, sidomos për familjet me të ardhura të ulëta dhe ato në zonat rurale, ku mungesa e shërbimeve dhe kostot e larta vazhdojnë të kufizojnë aksesin në kujdesin formal për fëmijët. /ekofin.al

