AKEP ka hedhur në konsultim publik një projektrregullore të re për regjistrimin dhe administrimin e emrave të domain-eve shqiptare “.al”, e cila pritet të sjellë ndryshimin më të madh në administrimin e hapësirës shqiptare të internetit që prej vitit 2008. Dokumenti synon të modernizojë të gjithë sistemin e regjistrimit të domaineve shqiptare, duke e përafruar me praktikat ndërkombëtare, standardet europiane të mbrojtjes së të dhënave dhe modelet moderne të administrimit të internetit.
Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me mënyrën se si do të funksionojë regjistrimi i domaineve “.al”. Në modelin e ri, AKEP nuk do të veprojë më si regjistrues i drejtpërdrejtë për shumicën e domaineve, por vetëm si “Regjistër” qendror që administron infrastrukturën dhe databazën kombëtare të domaineve shqiptare. Regjistrimi i domaineve “.al”, “.com.al”, “.org.al”, “.net.al” dhe “.edu.al” do të kryhet ekskluzivisht përmes regjistruesve privatë të akredituar nga AKEP.
Kjo përbën një transformim të plotë të modelit aktual, duke kaluar nga një sistem i centralizuar te një treg i liberalizuar regjistrarësh, i ngjashëm me mënyrën se si funksionojnë domain-et ndërkombëtare si “.com” apo “.eu”. Praktikisht, qytetarët dhe bizneset nuk do të aplikojnë më drejtpërdrejt pranë AKEP për të marrë një domain “.al”, por do ta bëjnë këtë përmes kompanive të licencuara nga autoriteti.
AKEP do të mbajë vetëm rolin e administratorit kombëtar të regjistrit dhe do të vijojë të regjistrojë drejtpërdrejt vetëm domain-et sensitive shtetërore “.gov.al” dhe “.mil.al”, për arsye sigurie kombëtare dhe integriteti institucional.
Një tjetër risi e rëndësishme është hapja e rrugës për domain-et ndërkombëtare IDN (Internationalized Domain Names), që do të thotë se në të ardhmen domain-et shqiptare do të mund të përdorin karaktere speciale dhe shkronja jashtë alfabetit klasik ASCII. Projektrregullorja lejon përdorimin e karaktereve si “ç”, “ë”, si dhe karaktereve të tjera të zgjeruara europiane.
Megjithatë, AKEP sqaron se kjo do të aktivizohet vetëm pasi të përfundojë infrastruktura teknike përkatëse. Në praktikë, kjo mund të hapë rrugën që në të ardhmen të regjistrohen adresa si “shqipëri.al” apo emra të ngjashëm me përdorim të plotë të alfabetit shqip.
Dokumenti vendos gjithashtu një regjim shumë më të detajuar për mbrojtjen e markave tregtare dhe të drejtave të mëparshme mbi domain-et. Për herë të parë përcaktohet qartë koncepti i “regjistrimit abuziv” të një domain-i, duke synuar të luftojë fenomenin e njohur si cybersquatting, kur persona regjistrojnë domain-e që lidhen me marka apo institucione të njohura vetëm për përfitim financiar ose për të penguar përdorimin nga zotëruesit legjitimë.
AKEP përcakton se një domain mund të konsiderohet abuziv nëse është identik ose krijon konfuzion me një markë tregtare apo emër ekzistues dhe është regjistruar pa interes legjitim ose në keqbesim. Në këto raste, autoriteti mund të urdhërojë fshirjen ose transferimin e domain-it te pala që provon të drejtën mbi të.
Një pjesë shumë e rëndësishme e projektrregullores lidhet me krijimin e listave të emrave të ndaluar dhe të rezervuar. AKEP do të ketë të drejtë të ndalojë regjistrimin e domaineve që konsiderohen në kundërshtim me interesin publik, moralin publik, sigurinë kombëtare apo që lidhen me mashtrimin, terrorizmin dhe gjuhën e urrejtjes.
Po ashtu, do të krijohet një kategori “emrash të rezervuar”, ku përfshihen emra institucionesh shtetërore, emra gjeografikë, emra historikë apo emra teknikë të internetit si “dns”, “nic”, “www” apo “whois”. Këta domain-e nuk do të mund të regjistrohen automatikisht, por vetëm me miratim paraprak të AKEP.
Rregullorja sjell edhe një mekanizëm të ri kontrolli mbi të dhënat e regjistrimit. Regjistruesit do të detyrohen të mbledhin dhe verifikojnë të dhëna shumë më të plota për pronarët e domaineve, duke përfshirë emrin, NIPT-in, adresën, email-in dhe numrin e telefonit. Për individët do të kërkohet edhe numri personal i identifikimit.
AKEP rezervon të drejtën të kryejë verifikime në çdo kohë dhe, në rast problemesh me të dhënat ose shkeljeve të rregullores, mund të pezullojë, bllokojë ose fshijë domain-in.
Po kështu, me ndikim praktik është përcaktimi i qartë i statuseve administrative të domain-eve. Projektrregullorja ndan për herë të parë konceptet e “pezullimit”, “bllokimit” dhe “fshirjes”. Pezullimi do të ndalojë vetëm veprimet administrative pa prekur funksionimin teknik të faqes, ndërsa bllokimi mund të çaktivizojë plotësisht domain-in në DNS.
AKEP parashikon që domain-et mund të bllokohen edhe me kërkesë të autoriteteve kompetente, kur ekziston rrezik për sigurinë kombëtare, mashtrim financiar, përmbajtje të paligjshme apo përmbajtje të dëmshme për të miturit.
Dokumenti sjell gjithashtu ndryshime të rëndësishme në mbrojtjen e privatësisë. Sistemi tradicional WHOIS zëvendësohet me protokollin modern RDAP, që lejon akses më të kontrolluar në të dhënat e domaineve dhe kufizon publikimin e informacionit personal.
Në praktikë, publiku nuk do të ketë më akses të lirë te të dhënat personale të zotëruesve të domaineve. Përmes RDAP do të publikohen vetëm të dhëna minimale teknike si emri i domain-it, statusi, datat e regjistrimit, nameserver-at dhe emri i regjistruesit.
AKEP ndalon shprehimisht përdorimin e këtyre të dhënave për marketing, spam apo grumbullim masiv të informacionit.
Aspekt tjetër i rëndësishëm është liberalizimi i transferimit të domaineve dhe krijimi i rregullave të qarta për ndryshimin e regjistruesit. Përcaktohet se pronari i një domain-i mund ta transferojë atë te një person tjetër ose te një regjistrues tjetër, por jo brenda 60 ditëve nga regjistrimi fillestar apo transferimi i fundit.
Gjithashtu krijohet koncepti i “orphan domain”, pra domain-eve që mbeten pa regjistrues në rast falimentimi apo mbylljeje të kompanisë registrar. Në këto raste, përdoruesit do të kenë 30 ditë kohë për të zgjedhur një regjistrues të ri.
AKEP parashikon gjithashtu një sistem formal të trajtimit të ankesave dhe mosmarrëveshjeve. Çdo palë e interesuar do të mund të ankohet për regjistrime të paligjshme, cenim markash tregtare apo probleme me të dhënat e domain-it. Ankesa do të shqyrtohet nga AKEP brenda 60 ditëve dhe më pas do të ketë të drejtë ankimi pranë Këshillit Drejtues të AKEP dhe më tej në gjykatë.
Sipas draftit, rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa deri atëherë AKEP do të duhet të përfundojë implementimin teknik të sistemit të ri dhe transferimin gradual të domaineve ekzistuese te regjistruesit e akredituar. /ekofin.al
