Për herë të parë që nga themelimi i saj, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka përfshirë arin në portofolin e rezervave shtetërore, duke shënuar një hap historik në menaxhimin e aseteve rezervë dhe në forcimin e stabilitetit financiar të vendit.
Në një njoftim zyrtar, BQK bëri të ditur se ky zhvillim përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe një fazë të re në modernizimin e praktikave të menaxhimit të rezervave, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat bashkëkohore të bankave qendrore.
Sipas BQK-së, përfshirja e arit synon të rrisë diversifikimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të portofolit rezervë, duke shërbyer si instrument për ruajtjen e vlerës dhe për zbutjen e rreziqeve financiare. Ari konsiderohet tradicionalisht një aset strategjik për bankat qendrore, veçanërisht në periudha pasigurie ekonomike dhe luhatjesh në tregjet financiare globale.
Ky vendim vjen pas një procesi të gjerë reformash që BQK ka ndërmarrë vitet e fundit në administrimin e rezervave dhe menaxhimin e rrezikut. Institucioni thekson se transformimi është mbështetur në politika të reja të brendshme, mekanizma më të fortë të qeverisjes dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerë ndërkombëtarë, si Thesari i SHBA-së, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces ka luajtur edhe Programi RAMP i Bankës Botërore, përmes të cilit BQK ka përfituar asistencë teknike dhe mbështetje në menaxhimin e investimeve të rezervave. Përmes këtij partneriteti janë forcuar kapacitetet institucionale, funksionet e monitorimit dhe analizës, si dhe kuadri i politikave investuese.
Paralelisht, BQK ka zgjeruar marrëdhëniet me banka qendrore të Eurosistemit dhe institucione financiare ndërkombëtare me reputacion, ndërsa ka avancuar edhe bashkëpunimin me ofrues të infrastrukturës globale si Clearstream, për shërbime të kujdestarisë së aseteve dhe menaxhimit të kolateralit.
Sipas institucionit, përfshirja e arit është vetëm hapi i parë i një procesi afatgjatë të alokimit strategjik të rezervave. BQK thekson se ky zhvillim mbështetet mbi stabilitetin financiar të konsoliduar të institucionit, qeverisjen e shëndoshë dhe menaxhimin e kujdesshëm të aseteve.
Në të njëjtën kohë, banka qendrore nënvizon se ka ruajtur një model të qëndrueshëm institucional, duke vijuar kontributet e rregullta në buxhetin e shtetit, në përputhje me mandatin e saj ligjor. /ekofin.al
