Guvernatori Gent Sejko deklaroi se rritja e çmimeve të naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare do të sjellë rritje të përkohshme të inflacionit në Shqipëri gjatë 2026. Banka e Shqipërisë la të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%.
Rritja e çmimeve të naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare, e nxitur nga tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, pritet të sjellë një rritje të përkohshme të inflacionit në Shqipëri gjatë vitit 2026, ndërsa ekonomia do të përballet me një ngadalësim vetëm marginal të ritmit të rritjes. Ky ishte mesazhi kryesor i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë konferencës për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të zhvilluar këtë të mërkurë.
Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, duke ruajtur gjithashtu të pandryshuara normën e depozitës njëditore në 1.5% dhe normën e kredisë njëditore në 3.5%.
Sipas Sejkos, skenari bazë i Bankës së Shqipërisë parashikon që goditja nga çmimet ndërkombëtare të energjisë dhe naftës do të ketë efekt kalimtar në ekonomi dhe nuk pritet të lërë pasoja afatgjata në trendet e zhvillimit të vendit. Megjithatë, ai paralajmëroi se pasiguritë mbeten të larta dhe balanca e rreziqeve për inflacionin është zhvendosur në kahun e sipërm.
Guvernatori theksoi se rritja e shpejtë e çmimit të naftës në muajin mars ka nisur të transmetohet menjëherë në ekonominë shqiptare, duke ndikuar inflacionin e atij muaji. Sipas tij, në tremujorët në vijim pritet një rritje e inflacionit të importuar, si rezultat i shtrenjtimit të naftës dhe transmetimit të kostove në artikujt e tjerë të konsumit.
Inflacioni mesatar në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 2.5%, duke mbetur ende nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Rritja e tij u ndikua kryesisht nga çmimet e qirave, naftës dhe stabilizimi i çmimit të energjisë elektrike për familjet.
Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare hyn në këtë fazë pasigurie nga një pozicion relativisht i fortë makroekonomik. Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia u rrit me 3.8% në tremujorin e katërt të vitit 2025, e mbështetur nga konsumi, investimet private dhe eksporti i shërbimeve.
Sejko evidentoi se tregu i punës mbetet i fortë, me normën e papunësisë që zbriti në 8.3%, niveli më i ulët historik në periudhën post-tranzicion. Paralelisht, kreditimi vijon të zgjerohet me ritme të larta, ku portofoli i kredisë për sektorin privat u rrit me 13.7% në tre muajt e parë të vitit.
Guvernatori nënvizoi se sistemi bankar mbetet solid, tregjet financiare të qeta dhe kushtet monetare akomoduese, duke krijuar hapësira për përballimin e goditjeve të jashtme.
Megjithatë, ai paralajmëroi se çdo përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të rrisë më tej presionet inflacioniste dhe të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë do të mbetet vigjilente dhe e gatshme të reagojë “në kohën, kahun dhe me forcën e duhur” ndaj çdo rreziku për stabilitetin e çmimeve.
“Qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për momentin dhe i jep ekonomisë shqiptare kushtet e duhura monetare për kthimin e inflacionit në objektiv në afatin e mesëm”, deklaroi Sejko. /ekofin.al
