Çmimet e karburanteve në vend kanë pësuar një tjetër rritje në fund të muajit prill, duke reflektuar luhatjet në tregjet ndërkombëtare dhe mekanizmin e përditësimit të Bordit të Transparencës.
Sipas vendimit të Bordi i Transparencës të datës 30 prill 2026, çmimi tavan i shitjes me pakicë për gazoilin (naftën) është përcaktuar në 208 lekë/litër, nga nivele më të ulëta në vendimin e mëparshëm, ndërsa ai me shumicë në 196 lekë/litër. Edhe benzina ka shënuar rritje, duke arritur në 185 lekë/litër në pakicë dhe 173 lekë/litër në shumicë.
Vendimi hyn në fuqi që prej orës 13:00 të ditës së sotme dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të çmimeve në treg.
Rritja e fundit vjen pas një periudhe me luhatje të shpeshta të çmimeve, të lidhura kryesisht me zhvillimet në tregjet globale të naftës, por edhe me faktorë të brendshëm fiskalë. Megjithatë, niveli aktual i çmimeve mbetet nën pragjet e përcaktuara në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, çka do të thotë se akciza vazhdon të zbatohet në nivel të plotë, 100%, dhe nuk aktivizohet mekanizmi i uljes në 80%.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregut për zbatimin e detyrueshëm të çmimeve të vendosura, duke theksuar se çdo shkelje do të shoqërohet me masa ndëshkuese deri në pezullim të aktivitetit. /ekofin.al
