Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka hedhur në konsultim publik projektrregulloren e re për “Mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”, një akt që synon të riorganizojë në një dokument të vetëm rregullat për marrëdhëniet mes operatorëve dhe përdoruesve të shërbimeve celulare, internetit, telefonisë fikse dhe paketave të tjera të komunikimeve elektronike.
Një nga risitë kryesore është se akti i ri do të zëvendësojë disa akte ekzistuese të AKEP, të miratuara mbi bazën e ligjit të vjetër. Konkretisht, me hyrjen në fuqi të rregullores së re do të shfuqizohen Rregullorja nr.49/2021 për mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve, Rregullorja nr.27/2012 për publikimin e informacionit mbi tarifat dhe kushtet e aksesit, si dhe formularët ekzistues të regjistrimit të përdoruesve të miratuar në vitin 2014 dhe të ndryshuar në vitin 2016.
Në krahasim me kuadrin aktual, projektrregullorja shkon më tej në standardizimin e informacionit që operatorët duhet t’u japin konsumatorëve para lidhjes së kontratës. Operatorët do të jenë të detyruar të japin informacion të qartë, të plotë dhe të kuptueshëm për çmimin, shërbimet e përfshira, kohëzgjatjen e kontratës, penalitetet, cilësinë minimale të shërbimit dhe mënyrat e ankimit. Përmbledhja e kontratës bëhet pjesë integrale e marrëdhënies kontraktore dhe kontrata konsiderohet e vlefshme vetëm pasi konsumatori të ketë marrë informacionin parakontraktor dhe të ketë dhënë pëlqimin e shprehur.
Akti vendos detyrimin që tarifa mujore dhe çdo ndryshim i parashikuar i saj të shprehet në lekë me TVSH dhe jo thjesht në përqindje. Synimi është të shmangë paqartësitë që shpesh krijohen nga kontratat ku rritjet e çmimeve, skontot apo ndryshimet pas periudhës promocionale paraqiten në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Në praktikë, konsumatori duhet të dijë që në momentin e nënshkrimit se sa do të paguajë gjatë gjithë periudhës së angazhimit.
Projektrregullorja vendos edhe një hierarki të qartë midis dokumenteve kontraktore. Nëse kontrata përbëhet nga disa dokumente, si përmbledhja e kontratës, informacioni individual, plani tarifor dhe termat e përgjithshme, në rast mospërputhjeje do të zbatohet dokumenti më specifik dhe interpretimi do të bëhet në favor të përdoruesit fundor. Kjo është një garanci shtesë për konsumatorët, sidomos në rastet kur termat e përgjithshme të operatorëve janë të gjata, teknike dhe jo gjithmonë të kuptueshme.
Në draft kërkohet që kushtet për shërbimet me parapagim të mos jenë më pak të favorshme se ato për pajtimtarët me paspagim, kur shërbimet janë të njëjta dhe në kushte të krahasueshme. Për kartat SIM me parapagim parashikohet që ato të jenë të vlefshme të paktën 12 muaj nga aktivizimi i parë, ndërsa çaktivizimi nuk mund të bëhet më herët se 3 muaj pas pezullimit ose kufizimit të shërbimit, nëse përdoruesi nuk kryen rimbushje gjatë kësaj periudhe.
Rregulla më të qarta vendosen edhe për vlefshmërinë e rimbushjeve. Sipas draftit, rimbushjet me vlerë 500 lekë ose më shumë duhet të kenë afat vlefshmërie jo më të shkurtër se 90 ditë, ndërsa rimbushjet me vlerë 2,000 lekë ose më shumë duhet të jenë të vlefshme për të paktën 12 muaj. Çdo rimbushje do të shtyjë vlefshmërinë e kartës SIM me një periudhë jo më të shkurtër se afati i vlefshmërisë së vetë rimbushjes.
Për kontratat me afat të caktuar, operatorët do të duhet të njoftojnë pajtimtarin 30 ditë përpara përfundimit të periudhës minimale të kontratës. Njoftimi duhet të përfshijë datën e përfundimit, faktin që kontrata kthehet në kontratë me afat të pacaktuar, tarifën mujore aktuale, ndryshimet e mundshme pas kësaj date dhe të drejtën e pajtimtarit për ta mbyllur kontratën pa penalitet.
Gjithashut, element me ndikim për konsumatorët është detyrimi për informim mbi tarifën më të mirë. Operatorët duhet të njoftojnë pajtimtarët jo vetëm kur përfundon periudha kontraktuale, por edhe t’u japin këshilla për tarifat më të përshtatshme, në mënyrë që konsumatori të mos mbetet automatikisht në një plan më të shtrenjtë kur në treg mund të ketë oferta më të favorshme.
Projektrregullorja forcon edhe kontrollin e shpenzimeve, sidomos për shërbimet celulare dhe internetin. Operatorët duhet të dërgojnë njoftime kur konsumi i internetit arrin 80% dhe 100% të njësive të përfshira në paketë. Në rast se përdoruesi konsumon të gjithë paketën e internetit, ofrimi i mëtejshëm me tarifa standarde për MB duhet të vijojë vetëm pas konfirmimit të shprehur të pajtimtarit.
Ndryshime parashikohen edhe për shërbimet roaming. Termat e përgjithshme duhet të përfshijnë limit financiar automatik për roaming prej 5,000 lekësh pa TVSH, ose 6,000 lekësh me TVSH, si dhe mundësinë që pajtimtari të zgjedhë një limit tjetër. Kjo synon të ulë rrezikun e faturave të papritura nga përdorimi i shërbimeve jashtë vendit.
Një pjesë e veçantë i kushtohet aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara. Operatorët do të duhet të ofrojnë, pa pagesë, informacion parakontraktor, përmbledhje kontrate dhe faturë përmbledhëse në formate të përshtatshme, si Braille, “large print” ose formate elektronike/audio, sipas nevojës së pajtimtarit.
Projektrregullorja parashikon gjithashtu mundësinë që pajtimtarët me aftësi të kufizuara të caktojnë një palë të tretë ose ndihmës personal për administrimin e faturave dhe njoftimeve. Kjo është një masë që synon të bëjë më praktik ushtrimin e të drejtave të konsumatorëve që kanë nevojë për asistencë në marrëdhënien me operatorët.
Për operatorët, rregullorja e re do të sjellë detyrime shtesë administrative dhe teknike: rishikim të kontratave standarde, publikim më të strukturuar të termave, njoftime në mjete të qëndrueshme, dokumentim të pëlqimit të pajtimtarëve dhe përshtatje të sistemeve për kontrollin e konsumit, veçanërisht për internetin, roamingun dhe shërbimet me parapagim. /ekofin.al
