Procesi i kompensimit të pronave në Shqipëri vijon të përballet me zvarritje, pengesa ligjore dhe një faturë financiare në rritje, pavarësisht miliardave të shpërndara ndër vite.
Shifrat nga raporti vjetor i Agjencisë së Trajtimit të Pronave tregojnë nga njëra anë pagesa të konsiderueshme për kompensim dhe nga ana tjetër një volum i madh dosjesh të pambyllura dhe procedura të bllokuara.
Në total, gjatë vitit 2025 janë shpërndarë rreth 4.1 miliardë lekë për kompensim financiar dhe trajtimin e pasojave nga ndërtimet informale. Pjesa dërrmuese e kësaj shume lidhet me ALUIZNI-n, ku janë disbursuar rreth 3.8 miliardë lekë për 5,946 subjekte përfituese.
Megjithatë, këto shifra nuk e fshehin problemin kryesor: ritmin e ulët të ekzekutimit të vendimeve. Nga 2,633 kërkesa për kompensim financiar dhe fizik të depozituara, vetëm 35.74% janë ekzekutuar, konkretisht 941 vendime, me një vlerë totale prej rreth 8.9 miliardë lekë. Pjesa tjetër mbetet pezull kryesisht për shkak të mungesës së dokumentacionit, problemeve me prokurat, vonesave nga ndryshimet ligjore dhe pengesave të tjera administrative.
Situata rëndohet edhe më tej nga stoku i lartë i dosjeve në pritje. Aktualisht, rreth 6,755 dosje dhe praktika janë ende në shqyrtim, ndërkohë që gjatë vitit 2025 janë trajtuar me vendim vetëm 78 raste.
Paralelisht, janë trajtuar mijëra kërkesa dhe ankesa nga qytetarët: 5,186 shkresa hyrëse qytetare, 5,395 zyrtare dhe mbi 1,500 kërkesa përmes platformës e-Albania, çka tregon presionin e lartë mbi institucionin.
Sipas raportit, pezullimi i përkohshëm i zbatimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese solli ndërprerje të punës së ATP-së për rreth tre muaj dhe një efekt financiar prej rreth 2.34 miliardë lekë. Ndërkohë, ndryshimet ligjore kanë rritur ndjeshëm faturën e kompensimit, duke shtuar rreth 16.4 miliardë lekë në vlerën totale të detyrimeve.
Në total, ATP ka vlerësuar financiarisht 20,541 vendime, me një vlerë prej rreth 120.9 miliardë lekë, ndërsa 3,921 vendime janë prekur nga ndryshimet ligjore, duke rritur më tej barrën financiare të shtetit. Nga ana tjetër, 2,469 vendime konsiderohen të kompensuara, me një vlerë negative rreth -25.6 miliardë lekë, ndërsa 838 vendime janë fshirë gjatë procesit të rivlerësimit.
Përballë këtyre të dhënave, qeveria ka shtyrë afatet ligjore për përfundimin e procesit. Trajtimi i kërkesave për njohje pronësie do të vijojë deri më 31.12.2027, ndërsa pagesa e plotë e kompensimeve pritet të përfundojë deri më 31.12.2028. Megjithatë, nisur nga volumi shumë i lartë i dosjeve në proces, ka shumë dyshime që procesi do të mbyllet brenda vitit 2028. /ekofin.al
