Shqipëria po hyn, edhe pse me hapa të vegjël, në hartën evropiane të infrastrukturës digjitale, në një moment kur kërkesa për data center po rritet ndjeshëm nga zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe shërbimeve cloud. Sipas të dhënave më të fundit për vitin 2025, vendi ynë numëron aktualisht vetëm një data center, duke u renditur në fund të listës në Evropë, por trendi rajonal dhe investimet në rritje tregojnë se ky sektor pritet të zgjerohet në vitet në vijim.
Rritja e kërkesës për përpunim të dhënash, e nxitur nga AI dhe dixhitalizimi i ekonomisë, po i shtyn vendet evropiane të investojnë fuqishëm në këtë infrastrukturë strategjike. Në këtë kontekst, edhe Shqipëria pritet të përfshihet më aktivisht, si pjesë e zinxhirit rajonal të teknologjisë, sidomos nëse arrin të ofrojë avantazhe si kosto më të ulëta operative dhe potencial energjetik.
Ndërkohë, tregu evropian dominohet nga disa vende kryesore. Gjermania renditet e para me 529 data center, e ndjekur shumë afër nga Mbretëria e Bashkuar me 523. Franca mban vendin e tretë me 322, ndërsa Holanda ka 298. Italia renditet më poshtë me 168, duke treguar një diferencë të dukshme mes liderëve dhe vendeve të tjera.
Në pjesën tjetër të Evropës, Spanja dhe Polonia kanë nga 144 data center secila, ndërsa Zvicra numëron 121 dhe Suedia 95. Vende si Belgjika, Austria dhe Ukraina qëndrojnë në nivele më të moderuara, ndërkohë që shumë ekonomi më të vogla kanë më pak se 50 të tilla.
Rajoni i Ballkanit mbetet dukshëm prapa. Serbia ka 12 data center, Kroacia 9, ndërsa Bosnje-Hercegovina vetëm 2. Shqipëria, me një të vetëm, është ende në fazë fillestare, por zhvillimet në teknologji dhe rritja e investimeve në infrastrukturë digjitale mund të ndryshojnë këtë panoramë në vitet e ardhshme.
Në nivel më të gjerë, edhe disa vende të BE-së kanë më pak se 35 data center, çka tregon se shpërndarja e kësaj industrie mbetet e përqendruar në disa qendra të mëdha ekonomike. Për vendet kandidate në BE, Turqia kryeson me 35, duke treguar një avantazh të qartë krahasuar me rajonin. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
