Subvencionet e qeverisë për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve do të jepen dhe orientohen sipas një metodologjie të miratuar së fundmi, me një udhëzim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ajo që bie në sy është prioritarizimi i shlyerjes së detyrimeve të krijuara nga këto ndërmarrje ndaj sektorit të energjisë që, sidomos gjatë vitit 2022, kur kostoja e energjisë në tregun e lirë arriti nivele të jashtëzakonshme pësuan rritje.
Të futura në një proces reformimi nga vitit 2022, ujësjellësit në pjesën më të madhe të tyre janë bashkuar sipas disa rajoneve, duke krijuar ndërmarrje më të mëdha dhe do të jetë Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infra-strukturës së Mbetjeve ajo që do të japë këto subvencion sikurse përcaktohet në nenin 1 të metodologjisë.
“Prioritet për përdorimin e fondit nga shoqëritë rajonale ose/dhe shoqëritë të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e shoqërisë rajonale, është likuidimi i detyrimeve emergjente të cilat pengojnë veprimtarinë normale të shoqërisë” thuhet në metodologji .
Në pikën 4 sqarohet se subvencioni i përfituar sipas pikës 1 të kësaj metodologjie do të përdoret nga AKUM-i së pari për shoqëritë të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen ose kanë krijuar shoqërinë rajonale brenda vitit 2023, sipas VKM-së nr. 302, datë 11.5.2022, të subvencionohen me vlerën nga 30 milionë lekë secila.
Së dyti, pjesa e mbetur e fondit të subvencionit do të përdoret nga AKUM-i për shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike të shoqërive rajonale ujësjellës-kanalizime sipas prioriteteve të mëposhtme:-Shoqëritë që kanë mbi 75 % të prodhimit me ngritje mekanike;-Shoqëritë që kanë krijuar detyrime të reja për energjinë gjatë vitit 2023, për shkak të kostove të larta të energjisë” thuhet në metodologji.
Vlerësimi i nevojave për fondin e dhënë si dhe shuma finale që do të jepet do të llogaritet nga Agjencia në bazë të dokumentacionit që përcaktohet në kuadrin ligjor.
Më herët, në një raport të Entit Rregullator të Energjisë u nënvizua se ujësjellësit duhet të priren të bëjnë investime në eficiencë energjie në kushtet kur 34 për qind të kostove të tyre totale e zë ky shpenzim.
Në fund të vitit 2022 borxhet në sektorin e energjisë u rritën në 14 miliardë lekë apo rreth 130 milionë euro ndërkohë që subvencionet e dhëna nga qeveria për këtë sektor ishin 360 milionë lekë apo 3.3 milionë euro./MONITOR
