Qeveria ka miratuar shpalljen e disa zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në katër bashki të vendit, në zbatim të Paketës së Maleve. Vendimet prekin territorin e Bashkia Kamzë, Bashkia Kurbin, Bashkia Dropull dhe Bashkia Selenicë, duke synuar nxitjen e investimeve ekonomike, industriale dhe turistike në këto zona.
Në Kamzë, zonat e shpallura përfshijnë tre sipërfaqe në fshatin Kodër Babrru, me një total prej 154 hektarësh, të fokusuara kryesisht në zhvillim ekonomik dhe turistik. Ndërkohë, në Kurbin ndërhyrja është shumë më e gjerë, ku janë identifikuar tri zona të mëdha në njësitë administrative Mamurras dhe Milot, me një sipërfaqe që arrin mbi 10 mijë hektarë, duke përfshirë disa fshatra dhe zona kadastrale të ndryshme .
Edhe më e gjerë është ndërhyrja në Dropull, ku katër zona të mëdha, të shtrira në disa njësi administrative, përfshijnë një sipërfaqe totale mbi 21 mijë hektarë. Këto zona përfshijnë një numër të madh fshatrash në Dropullin e Poshtëm, Dropullin e Sipërm dhe Pogon, duke e bërë këtë bashki një nga përfitueset kryesore të paketës për zhvillimin malor .
Në Selenicë, ndërhyrja është më e fragmentuar, por shumë e detajuar, me 36 zona të shpallura në fshatra të ndryshëm të njësisë administrative Brataj. Sipërfaqet variojnë nga më pak se 1 hektar deri në qindra hektarë, duke reflektuar një qasje të shpërndarë për zhvillimin lokal, me fokus në aktivitete ekonomike, industriale dhe turistike .
