Çmimet e karburanteve në vend janë rikthyer sërish në rritje, duke përmbysur trendin e uljes së ditëve të fundit. Vendimi më i fundit i Bordi i Transparencës, i marrë më 22 prill 2026, konfirmon një rritje të njëkohshme si për naftën, ashtu edhe për benzinën.
Sipas vendimit, çmimi tavan i naftës (gazoil) për shitje me pakicë është vendosur në 202 lekë/litër, ndërsa ai me shumicë në 190 lekë/litër. Krahasuar me vendimin paraardhës, ku nafta kishte zbritur deri në 197 lekë/litër, kjo përkthehet në një rritje të qartë prej 5 lekësh për litër.
Në të njëjtën linjë, edhe benzina ka shënuar rritje. Çmimi i saj tavan për shitje me pakicë është vendosur në 176 lekë/litër dhe 164 lekë/litër për shumicë, nga 172 lekë/litër që ishte më parë. Edhe në këtë rast, kemi një rritje prej 4 lekësh për litër.
Vendimi hyn në fuqi nga ora 12:30 e datës 22 prill, dhe do të mbetet në fuqi deri në një rishikim të radhës nga Bordi. Autoritetet kanë paralajmëruar se çdo shkelje nga operatorët do të ndëshkohet me masa të forta, deri në pezullim aktiviteti.
Një element me rëndësi mbetet edhe kuadri fiskal. Referuar aktit normativ të fillimprillit, ulja e akcizës në 80% aplikohet vetëm në rast se çmimet e shitjes me pakicë tejkalojnë pragun prej 220 lekë/litër për naftën dhe 200 lekë/litër për benzinën. Duke qenë se aktualisht çmimet janë nën këto nivele, akciza vijon të zbatohet e plotë, në masën 100%.
Në thelb, zhvillimi i fundit tregon se tregu i karburanteve mbetet i paqëndrueshëm, me luhatje të shpejta brenda pak ditësh, duke reflektuar ndikimet nga tregjet ndërkombëtare dhe faktorët e brendshëm fiskalë. Rritja e njëkohshme e të dy produkteve sinjalizon një presion të ri mbi kostot e transportit dhe, në mënyrë indirekte, mbi çmimet në ekonomi. /ekofin.al
