Ministria e Drejtësisë ka miratuar një udhëzim të ri që ndryshon mënyrën e përzgjedhjes, administrimit dhe transparencës së ekspertëve gjyqësorë në Shqipëri, duke krijuar një Regjistër Elektronik të Ekspertëve që do të jetë i aksesueshëm për publikun.
Ky regjistër, i cili do të administrohet nga Ministria e Drejtësisë dhe do të publikohet online, synon të rrisë transparencën dhe cilësinë në proceset gjyqësore, duke ofruar një bazë të strukturuar të dhënash për ekspertët sipas fushës së ekspertizës dhe juridiksionit territorial.
Në regjistër do të përfshihen të dhëna të detajuara për çdo ekspert, përfshirë identitetin, kontaktet, fushën e ekspertizës, licencën, përvojën profesionale dhe atë gjyqësore, si dhe statusin e regjistrimit. Gjithashtu, do të pasqyrohen edhe elementë të rëndësishëm si gjykatat ku eksperti është i disponueshëm dhe historiku i aplikimit.
Udhëzimi vendos kritere të qarta për përfshirjen në regjistër. Ekspertët duhet të kenë të paktën 10 vite përvojë profesionale, ose 5 vite nëse kanë kryer trajnim profesional të specializuar. Po ashtu, kërkohet të jenë të licencuar, të rregullt me detyrimet tatimore dhe pa precedentë penalë që cenojnë integritetin e profesionit.
Aplikimi për regjistrim do të kryhet përmes portalit e-Albania, ndërsa procesi i shqyrtimit do të zgjasë deri në 60 ditë. Në rast dokumentacioni të paplotë, aplikantët kanë 15 ditë kohë për ta plotësuar, përndryshe kërkesa refuzohet. Vendimmarrja përfundimtare bëhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa aplikantët kanë të drejtë ankimi pranë ministrit.
Një element i ri është edhe sistemi i pikëzimit të ekspertëve, ku palët e interesuara do të kenë mundësi të vlerësojnë performancën e tyre përmes një formulari elektronik në e-Albania. Ministria do të publikojë çdo vit një raport analitik mbi këto vlerësime, duke evidentuar problematikat dhe rekomandimet për përmirësim.
Udhëzimi parashikon gjithashtu mekanizma për pezullimin dhe çregjistrimin e ekspertëve në rast shkeljesh profesionale apo ligjore. Në raste të përsëritura, ekspertët mund të përjashtohen për periudha deri në 3 vite ose edhe përgjithmonë nga regjistri.
Një tjetër risi është verifikimi periodik i të dhënave, të paktën çdo dy vjet, për të siguruar që ekspertët vijojnë të përmbushin kriteret ligjore. Ndërkohë, korrigjimi i gabimeve teknike do të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë në sistem, ndërsa ndryshimet thelbësore kërkojnë aplikim të ri.
Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, shfuqizohet akti i vitit 2018, duke sjellë një kuadër të ri më të avancuar në drejtim të dixhitalizimit dhe kontrollit të cilësisë në ekspertizën gjyqësore. /ekofin.al
