Sot, 20 Prill 2026, është afati i fundit për shlyerjen e këstit të parë të taksës mbi pasurinë e paluajtshme për pronarët e njësive tregtare në Tiranë, një detyrim që prek drejtpërdrejt një kategori të gjerë individësh dhe subjektesh që ushtrojnë aktivitet ekonomik në kryeqytet.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Tiranë ka bërë me dije se procesi i gjenerimit dhe shpërndarjes së njoftimeve për detyrimet vendore për vitin tatimor 2026 është përmbyllur gjatë muajit mars. Ky proces përfshin si subjektet tregtare për detyrimet e biznesit, ashtu edhe individët pronarë të njësive tregtare për taksën mbi pasurinë e paluajtshme.
Për të rritur aksesin dhe transparencën, njoftimet janë vendosur në dispozicion në mënyrë elektronike përmes platformës e-Albania, ku çdo taksapagues mund të verifikojë detyrimet në profilin e tij personal. Paralelisht, për të garantuar informim të plotë, ato janë dërguar edhe në adresat fizike të vetëdeklaruara.
Pas afatit të sotëm, detyrimet e papaguara do të shoqërohen me penalitete dhe kamatëvonesa, ndaj autoritetet vendore u bëjnë apel të gjithë taksapaguesve që të respektojnë afatet ligjore për të shmangur kostot shtesë.
Ndërkohë, kalendari i pagesave vijon me këstin e dytë të taksës mbi pasurinë e paluajtshme, i cili duhet të shlyhet deri më 30 Qershor 2026. Për bizneset, afati për pagesën e taksave dhe tarifave vendore është data 31 Maj 2026.
DPTTV thekson se mbetet e angazhuar për të ofruar asistencë për çdo taksapagues, duke i ftuar qytetarët dhe bizneset që të verifikojnë në kohë detyrimet dhe të kryejnë pagesat brenda afateve të përcaktuara. Për çdo paqartësi, taksapaguesit mund të kontaktojnë në adresën elektronike zyrtare ose të paraqiten pranë sporteleve të shërbimit. /ekofin.al
