Tregtia e jashtme e Shqipërisë vijon të japë sinjale të përziera në fillim të vitit 2026: eksportet janë rikthyer në rritje, por importet po rriten me ritme shumë më të shpejta, duke thelluar ndjeshëm deficitin tregtar.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në muajin mars 2026 eksportet e mallrave arritën në 32.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 4.1%. Në të njëjtën kohë, importet u ngjitën në 80.3 miliardë lekë, duke u rritur me 8.8% krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Si rezultat, deficiti tregtar arriti në 47.6 miliardë lekë, në rritje me 12.2% në bazë vjetore.
Rritja e eksporteve në këtë muaj është mbështetur kryesisht nga grupet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike, të cilat kanë dhënë kontributin më të madh pozitiv, si dhe nga makineritë dhe pajisjet. Në të kundërt, tekstilet dhe këpucët, një nga sektorët tradicionalë eksportues, kanë ndikuar negativisht në ecurinë e përgjithshme, duke reflektuar vështirësitë që ky sektor po përjeton në tregjet ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, importet vijojnë të shtyhen nga kërkesa për makineri dhe pajisje, ushqime dhe materiale ndërtimi, çka tregon një ekonomi që mbështetet ende fort në furnizimin nga jashtë, si për konsum ashtu edhe për investime. Vetëm grupi i makinerive dhe pajisjeve ka dhënë kontributin më të madh në rritjen e importeve, me mbi 3 pikë përqindje.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një rikonfigurim të partnerëve tregtarë. Eksportet janë rritur ndjeshëm drejt Greqisë dhe Kosovës, ndërsa kanë rënë drejt Italisë dhe Spanjës. Në import, rritja më e fortë vjen nga Kina dhe Gjermania, duke sinjalizuar një zhvendosje të furnizimeve drejt tregjeve jashtë BE-së për disa kategori mallrash.
Megjithatë, Bashkimi Europian mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Në mars 2026, vendet e BE-së përbënin 55.2% të gjithë shkëmbimeve tregtare, ku 69.4% e eksporteve shqiptare shkojnë drejt këtij tregu, ndërsa 49.5% e importeve vijnë prej tij .
Në terma të mbulimit të importeve nga eksportet, treguesi mbetet i dobët. Në mars 2026, eksportet mbulojnë vetëm rreth 41% të importeve, një nivel që konfirmon varësinë strukturore të ekonomisë shqiptare nga importet dhe presionin e vazhdueshëm mbi bilancin tregtar. /ekofin.al

