Zjarri masiv që përfshiu një pallat 12-katësh përballë QSUT në Tiranë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke rrezikuar seriozisht jetën e dhjetëra banorëve, rikthen në vëmendje një problem të nënvlerësuar në Shqipëri: mungesën e mbrojtjes financiare përmes sigurimit të banesave.
Zjarri, i cila u përhap me shpejtësi në strukturën e godinës, duke shkrumbuar gjjthçka, tregoi edhe një herë se sa të ekspozuara janë familjet shqiptare ndaj rreziqeve të papritura. Edhe pse fatmirësisht u shmangën humbjet në jetë, dëmet në prona janë të mëdha dhe do të kërkojnë kohë dhe burime për t’u rikuperuar.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë përmes rrjeteve sociale ka bërë edhe njëherë një thirrje e drejtpërdrejtë për rritjen e ndërgjegjësimit mbi sigurimin e banesave. Sipas saj, ngjarje të tilla nuk duhet të trajtohen si raste të izoluara, por si sinjale të qarta për nevojën e një kulture më të fortë sigurimi në vend.
Sipaa të dhënave të AMF, të ardhurat nga primet për sigurimin nga zjarri, forcat e natyrës dhe dëmtimet e tjera në pronë u rritën me 8.3% në vitin e kaluar, por përsëri me vetëm 2.8 miliardë lekë prime në këtë kategori sigurimi, ai mbetet në shifra shumë modeste dhe i përqendruar më shumë te bizneset sesa te qytetarët, të cilët në shumicën e rasteve e bëjnë këtë sigurim për efekt kredie.
Shoqata thekson se sigurimi i banesës mbetet një nga instrumentet më efektive për të mbrojtur pasurinë familjare dhe për të përballuar pasojat financiare të fatkeqësive si zjarret, përmbytjet apo tërmetet. Në një treg ku penetrimi i sigurimeve të pronës vijon të jetë i ulët, incidente të tilla ekspozojnë një boshllëk të madh në mbrojtjen ekonomike të qytetarëve.
Banesat përbëjnë shpesh investimin më të madh të një familjeje. Megjithatë, në mungesë të sigurimit, çdo dëmtim i rëndë përkthehet drejtpërdrejt në barrë financiare për vetë familjet, duke rrezikuar kursimet dhe stabilitetin e tyre ekonomik. Përballë një zjarri si ai i ndodhur në Tiranë, kostoja e rikonstruksionit apo e zëvendësimit të pajisjeve mund të jetë e papërballueshme për shumicën.
Sigurimi i banesës, nga ana tjetër, ofron një mekanizëm të thjeshtë për shpërndarjen e këtij rreziku. Me një kosto relativisht të ulët, qytetarët mund të mbrojnë jo vetëm strukturën e banesës, por edhe përmbajtjen e saj, duke përfituar gjithashtu mbulim për dëmet ndaj palëve të treta në raste incidentesh.
Shoqata e Siguruesve nënvizon gjithashtu rëndësinë e informimit të qytetarëve dhe zgjedhjes së produkteve të përshtatshme, si një hap thelbësor drejt rritjes së sigurisë financiare në nivel familjar dhe shoqëror. Një shoqëri me nivel më të lartë sigurimi është më rezistente ndaj goditjeve ekonomike dhe rikuperohet më shpejt pas fatkeqësive.
Zjarri i rënë në pallatin pranë QSUT nuk duhet të jetë thjesht një kronikë e ditës dhe pastaj të harrohet, siç ndodhi edhe në vitin 2021. Ai është një kujtesë e fortë se rreziku është real dhe i pranishëm. Dhe në një realitet të tillë, sigurimi i banesës nuk duhet të mbetet një zgjedhje opsionale, por të shihet si një element bazë i sigurisë financiare. Mbrojtja e pasurisë së fituar me mund nuk fillon pas fatkeqësisë, por shumë më herët, me vendime të ndërgjegjshme dhe me transferim të rrezikut. /ekofin.al
