Mbipesha mbetet një kërcënim i fshehtë për zemrën, edhe kur analizat rezultojnë normale. Rreziqet për sëmundje të rënda rriten ndjeshëm me kalimin e viteve, veçanërisht tek gratë.
Mbipesha rrit deri në 60% rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës. Shumë më i lartë paraqitet veçanërisht insuficienca kardiake, përkatësisht me 63% për meshkujt dhe 69% për femrat.
Ky është konkluzioni i një studimi mbi 157 mijë persona në një hark kohor prej 13 vitesh, te Imperial College i Londrës, një ndër universitetet më prestigjioze në botë në kuadër të punëve kërkimore.
Sipas ekipit të punës, koncepti mbi metabolizmin e shëndetshëm, që aplikohet mbi njerëzit mbipeshë, të cilët kishin çdo analizë gjaku në norma mjaft të mira e të sigurta, pa diabet, pa luhatje tensioni dhe kolesterol në normë, nuk është mbrojtje.
Kjo do të thotë se edhe kur parametrat metabolikë janë të rregullt, obeziteti ndikon në distancë vitesh duke rritur në mënyrë drastike rreziqet për të zhvilluar sëmundje të rënda kardiovaskulare, në krahasim me këdo që ka një peshë normale.
Në kërkim dalin në pah shumë problematika, ndër të cilat rreziku për t’u prekur nga sëmundje të rënda të mëlçisë rritet me 137% tek meshkujt dhe 344% te femrat.
Siç vihet re gjithashtu, diferencat mes gjinive dhe pasojat janë mjaft të dukshme, ku impakti i obezitetit mbi gratë ka efekt shumë më tepër agresiv.
Dhe rritja e peshës është mjaft e rrezikshme, pasi është çështje kohe dhe organizmi do të kolapsojë që në problematikën e parë, dhe pasojat janë iktus, infarkt dhe insuficiencë renale./Klan News
