Qeveria ka vendosur datën 3 janar si ditë pushimi për administratën shtetërore, duke qenë se dita e premte pason ditët e pushimit për festën e Vitit të Ri 2025. Ekofin.al mëson se vendimi është marrë në mbledhjen jashtë radhe të Qeverisë, mbajtur pasditen e sotme.
Punonjësit e administratës do të kenë më shumë mundësi për të festuar me familjet dhe njerëzit e dashur, pas një viti pune mjaft intensiv.
Viti 2024 ka qenë një vit i mbushur me ngjarje të rëndësishme si hapja e kapitujve për negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, rishikimi i një sërë ligjesh në fushën e drejtësisë, legjislacionit tatimor për bizneset, ndryshimet ligjore klimatike, njohjes së viteve të punës në ish-kooperativat bujqësore, efiçenca e energjisë etj, për të cilat punonjësit e administratës kanë qenë të angazhuar përgjatë këtij viti.
Pak ditë më parë qeveria miratoi edhe një shpërblim prej 15,000 lekësh për punonjësit mbështetës të administratës, ndërsa më herët këtë vit u vendos rritja e pagave për administratën ku paga mesatare mujore në sektorin publik arriti në 105 mijë lekë dhe nga e cila përfituan afërsisht 135 mijë punonjës të administratës shtetërore.
Pagat e rritura filluan të aplikohen në 6-mujorin e dytë të vitit, nga 1 korriku 2024, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për 6-mujorin e dytë të vitit dhe një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh. /ekofin.al

