Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka shpallur tenderin për rikonstruksionin e linjës së energjisë elektrike 110 kV Fier – Marinzë.
Fondi limit për këtë kontratë është 276,606,741 lekë pa TVSH, me afat 18 muaj nga hyrja në fuqi e kontratës.
Sipas dokumenteve të tenderit, si objekt i punës së këtij projekti do të jetë rikonstruksioni i linjës 110 kV Fier – Marinzë. Linja ajrore 110 kV me dy qarqe Fier – Marinzë do të jetë linja e re dhe do të lidhet në traktet ekzistuese, përkatësisht të nënstacioneve Fier dhe Jagodinë, ndërkohë që linja ekzistuese do të demontohet.
Traseja e linjës 110 KV Fier – Marinzë do të jetë trase e re në pjesën më të madhe të saj. Në linjën e re do të montohet përcjellës ACSR 240/40 mm² dhe tros optik OPGW për mbrojtjen nga shkarkimet atmosferike dhe për qëllime telekomunikimi.
Linja e re do të dalë nga portali ekzistues në nënstacionin Fier dhe do të vazhdojë në të njëjtën trase me atë ekzistuese (me ndryshime të vogla, aq sa të mundësojnë ndërtimin e shtyllave të reja) në segmentin deri në përfundim të intersektimve me linjat ekzistuese 220 dhe 400 Kv. E fundit në këtë segment është linja 220 KV Fier – Rrashbull, specifikohet në dokument.
Linja do të përfundojë në portalin e nënstacionit Jagodinë, duke ruajtur të njëjtin konfigurim që ka linja ekzistuese në tre shtylla ekzistuese që do të ngelen të njëjtat, ndërsa do të montohet një shtyllë e re që do të zëvendësojë atë ekzistuese që do të demontohet.
Ruajtja e konfigurimit do të bëhet edhe për trosin e ri OPGW që do të montohet nga shtylla ankerore 220 kV ku është ekzistuesja deri në Portalin e nënstacionit Jagodinë. /ekofin.al

