Tregu i komunikimeve elektronike në Shqipëri po hyn në një fazë transformimi të qartë, ku interneti po dominon gjithnjë e më shumë, ndërsa shërbimet tradicionale si telefonia dhe SMS-të po bien me ritme të ndjeshme. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për tremujorin e katërt 2025 tregojnë një zhvendosje të fortë të konsumit drejt të dhënave (data), në një treg që po maturohet dhe po ndryshon sjellje.
Në total, përdorimi i internetit celular vijon të rritet me ritme të larta, ndërsa treguesit e përdorimit të thirrjeve dhe SMS-ve kanë hyrë në trajektore rënëse, duke reflektuar ndryshimet në mënyrën si konsumatorët komunikojnë dhe përdorin shërbimet digjitale.
Më pak përdorues aktivë dhe rënie e SIM-eve në tregun celular
Të dhënat tregojnë një tkurrje të lehtë të bazës së përdoruesve në tregun celular. Kështu, numri i kartave SIM aktive ra në 3.1 milionë, 7.4% më pak krahasuar me një vit më parë. Përdoruesit aktivë celularë zbritën në 2.48 milionë, me një rënie të lehtë vjetore. Ndërsa, përdoruesit e internetit celular arritën në 2.1 milionë, gjithashtu në rënie të lehtë vjetore.
Kjo tregon një stabilizim të tregut, por edhe një pastrim të përdoruesve joaktivë dhe SIM-eve të tepërta. Nga ana tjetër, struktura e tregut po ndryshon: pjesa e përdoruesve me kontrata paspagim është rritur në 46.6%, duke treguar maturim të tregut dhe orientim drejt planeve më të qëndrueshme.
Interneti shpërthen: +22% trafik dhe konsum më i lartë për përdorues
Ndryshe nga telefonia tradicionale, përdorimi i internetit vijon rritjen e fortë. Trafiku total i të dhënave arriti në 68 milionë GB, me rritje 21.9% në krahasim me tre-mujorin e katërt 2024. Edhe konsumi mesatar për përdorues u rrit në 10.98 GB/muaj, +22.8% vjetor.
Ky është një nga treguesit më të fortë të transformimit digjital të tregut, ku përdoruesit konsumojnë gjithnjë e më shumë internet, të nxitur nga rrjetet sociale, video dhe shërbimet online.
Telefonatat dhe SMS-të në rënie të vazhdueshme
Në të kundërt, shërbimet tradicionale po humbasin terren. Thirrjet dalëse ranë në 1 miliard minuta, me rënie 6.5% vjetore. Ndërsa SMS-të zbritën në 87.6 milionë, me rënie 10.1%.
Edhe në nivel përdoruesi, me mesatarisht vetëm 12 SMS në muaj dhe 136 minuta thirrje, në rënie vjetore. Kjo konfirmon zhvendosjen drejt aplikacioneve si WhatsApp, Messenger apo platforma të tjera OTT.
Rrjetet fikse rriten, por telefonia fikse bie me ritme të shpejta
Në segmentin e rrjeteve fikse, tabloja është më e balancuar. Interneti fiks arriti në 715 mijë abonentë, me rritje 4.1% vjetore. Ndërkohë, telefonia fikse ra në 149 mijë abonentë, me rënie të fortë 9.7%.
Një zhvillim interesant është ndryshimi i strukturës së paketave. Internet-only dominon me 58.7% të tregut, në rritje të fortë (+8.5%). Paketat e integruara po bien, sidomos ato që përfshijnë telefoninë.
Kjo tregon se konsumatori po kërkon shërbime më të thjeshta dhe të fokusuara tek interneti. /ekofin.al
