Bordi i Transparencës ka rishikuar sërish çmimet e karburanteve në vend, duke vendosur një ulje të lehtë për naftën, ndërsa benzina mbetet e pandryshuar. Vendimi i marrë në mbledhjen e datës 8 prill 2026 reflekton luhatjet e fundit në tregjet ndërkombëtare dhe përpjekjen për të amortizuar presionet mbi konsumatorët dhe bizneset.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën është përcaktuar në 220 lekë për litër, nga nivele më të larta në vendimet e mëparshme, ndërsa me shumicë do të tregtohet deri në 208 lekë për litër. Ndërkohë, për benzinën, tavani mbetet në 181 lekë për litër në pakicë dhe 169 lekë për litër në shumicë, duke reflektuar një stabilizim të këtij nënprodukti në treg.
Ndryshimi i çmimit të naftës vjen në një moment kur ky produkt mbetet thelbësor për ekonominë, duke qenë se përdoret gjerësisht në transport, bujqësi dhe industri. Çdo lëvizje në këtë segment ka ndikim të drejtpërdrejtë në koston e zinxhirit të furnizimit dhe, për rrjedhojë, edhe në çmimet finale për konsumatorin.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë, duke filluar nga ora 15:30 e datës 8 prill dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku pritet të reflektohen zhvillimet e reja në tregjet ndërkombëtare të naftës, veçanërisht referencat e Platts Mediterraneo që përdoren si bazë për përcaktimin e çmimeve.
Autoritetet kanë paralajmëruar masa të forta ndaj operatorëve që nuk zbatojnë çmimet e përcaktuara, duke përfshirë deri në pezullimin e aktivitetit. Ky qëndrim vjen në vijim të kontrolleve të intensifikuara në tregun e karburanteve, ku janë evidentuar raste të abuzimeve me çmimet dhe detyrimet fiskale.
