Numri i aksidenteve është ulur në muajin nëntor, muaj zakonisht i ngarkuar edhe për shkak të festave. Në nëntor të këtij viti, sipas INSTAT, u regjistruan 147 aksidente rrugore, përkundrejt 167 të shënuar vitin e kaluar.
Megjithatë, në total për periudhën janar-nëntor 2024, numri i aksidenteve është rritur me 34.5%, duke arritur në 1,517, përkundrejt 1,128 që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Po ashtu edhe numri i të vdekurve dhe të plagosur është rritur me 31.4% në 11-mujor, ku për janar-nëntor 2024 raportohen 1,394, përkundrejt 1,061 të vdekur ose të plagosur në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, INSTAT veçon se vdekshmëria ka rënë, ku gjatë periudhës Janar- Nëntor 2024, vdekshmëria në aksidente rrugore është 9,8 për 100 aksidente, nga 15,7 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Aksidentet rrugore në 90.5% të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i tyre është kryer nga grupmosha 24-30 vjeç, duke zënë 26.5% të numrit të aksidenteve gjithsej. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur ditën e mërkurë me 18.4% të rasteve dhe më pak ditën e hënë me 10.2% të rasteve.
Ndërsa më të shpeshta kanë qenë në intervalin midis orës 17.00-19.00. Numri më i lartë i personave të aksidentuar në janar – nëntor 2024 janë meshkuj me 1394.
Ndërsa sipas qarqeve kryeson Tirana për numrin më të lartë të të plagosurve dhe të vdekurve me 594 për periudhën janar -tetor 2024 dhe 56 të vdekur në nëntor 2024, ndjekur nga Durrësi me 253 të aksidentuar për janar -tetor 2024. Numrin më të vogël të të aksidentuarve e ka qarku i Beratit me 33 persona. /ekofin.al





