Administrata publike vijon të vetëvlerësohet në nivele shumë të larta edhe gjatë vitit 2025, pa shënuar ndryshim real krahasuar me një vit më parë, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin dhe besueshmërinë e sistemit të vlerësimit të performancës.
Sipas raportit të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në vitin 2025 janë vlerësuar gjithsej 10,181 nëpunës civilë. Prej tyre, 50% janë vlerësuar në nivelin maksimal “shumë mirë”, ndërsa 48% kanë marrë vlerësimin “mirë”. Vetëm 1.8% janë klasifikuar “kënaqshëm” dhe 0.2% “jokënaqshëm”.
Krahasuar me vitin 2024, të dhënat mbeten pothuajse të pandryshuara. Në atë vit janë vlerësuar 10,397 nëpunës, ku 48% ishin vlerësuar “shumë mirë” dhe 50% “mirë”, ndërsa nivelet më të ulëta përbënin rreth 2% të totalit. Ndryshimi i vetëm është një zhvendosje minimale prej 2 pikë përqindjeje nga niveli “mirë” drejt “shumë mirë”, pa ndikim real në strukturën e përgjithshme të vlerësimit.
Në të dy vitet, rreth 98% e nëpunësve përqendrohen në dy nivelet më të larta të vlerësimit.
Të dhënat sipas tipologjisë së institucioneve për vitin 2025 tregojnë se në administratën shtetërore janë vlerësuar 5,987 nëpunës, në administratën vendore 3,398 dhe në institucionet e pavarura 796, me të njëjtin dominim të vlerësimeve “shumë mirë” dhe “mirë” në të gjitha kategoritë.
Ndërkohë, raporti evidenton edhe mangësi në zbatimin e procesit. Një numër bashkish, përfshirë Bulqizën, Libohovën, Këlcyrën, Tropojën, Shkodrën, Kavajën, Vlorën, Selenicën, Himarën dhe Sarandën, nuk kanë raportuar të dhëna për vlerësimin e nëpunësve civilë, ndërsa Bashkia Tiranë e ka realizuar procesin vetëm pjesërisht.
Vetë Komisioneri nënvizon se ky model vlerësimi reflekton nivele të larta subjektivizmi, duke paralajmëruar se një sistem ku pothuajse të gjithë punonjësit marrin nota të larta rrezikon të humbasë funksionin e tij kryesor: matjen reale të performancës dhe ndarjen e meritës.
Në këtë kontekst, edhe pse në pamje të parë administrata duket se performon në nivele të larta, krahasimi 2024–2025 tregon se nuk ka një përmirësim të qenësishëm, por vetëm një vazhdimësi të së njëjtës praktikë vlerësimi.
Komisioneri thekson se përmirësimi i këtij sistemi kërkon rritje të kapaciteteve të zyrtarëve vlerësues dhe standardizim të procesit, përmes trajnimeve specifike dhe përfshirjes më aktive të institucioneve si Shkolla Shqiptare e Administratës Publike./ekofin.al

Vlerësimi në vitin 2024

