Kakaoja është lidhur me disa përfitime për shëndetin; megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se çokollata komerciale mund të mos jetë po aq e dobishme.
Kakaoja është shoqëruar me një sërë përfitimesh, nga një zemër më e shëndetshme, plakje më e ngadaltë dhe përmirësim i funksioneve njohëse. Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto përfitime kanë edhe kufizime.
Shumë studime e lidhin kakao-n me rezultate pozitive për shëndetin, kryesisht falë flavanoleve – përbërje bioaktive bimore me fuqi antioksiduese – dhe teobrominës, një stimulues natyral me shije të hidhur që gjendet në bimën e kakaos dhe në çokollatë.
Megjithatë, konsumimi i një çokollate me qumësht nuk është i njëjtë me konsumimin e kakaos së pastër, dhe përfitimet apo rreziqet mund të ndryshojnë.
Si mund të jetë e dobishme kakaoja?
Kakaoja është e pasur me flavanole, një klasë përbërjesh që gjenden edhe në shumë bimë dhe perime, të lidhura me përfitime të ndryshme shëndetësore, duke vepruar si antioksidantë, antikancerogjenë dhe anti-inflamatorë.
Teobromina, nga ana tjetër, mund të kalojë barrierën gjak–tru, duke ndikuar në faktorët nervorë dhe duke përmirësuar funksionet njohëse, sipas një studimi të vitit 2024. Kjo mund të ofrojë mbrojtje ndaj dëmtimeve njohëse të lidhura me moshën, si sëmundja e Alzheimerit dhe Parkinsonit.
Ndikim pozitiv në shëndetin e zemrës
Kakaoja është lidhur gjithashtu me një rrezik më të ulët për vdekje nga shkaqe të lidhura me zemrën.
Një meta-analizë e vitit 2025, e publikuar në European Journal of Preventive Cardiology, zbuloi se ushqimet e pasura me flavanole mund të ulin tensionin e gjakut dhe të përmirësojnë shëndetin kardiovaskular tek personat me tension të lartë dhe rrezik për sëmundje të zemrës.
Studiuesit theksojnë se këto përfitime mund të arrihen duke konsumuar rreth një deri në dy porcione çokollatë të zezë, ose dy deri në tre lugë gjelle pluhur kakao në ditë.
Studimi COSMOS (Cocoa Supplement and Multivitamin Outcomes Study), një nga më të mëdhenjtë dhe më afatgjatët në këtë fushë, ndoqi mbi 21,000 persona për rreth tre vite.
Një pjesë e pjesëmarrësve morën dy herë në ditë një suplement me 500 miligramë flavanole kakao, ndërsa të tjerët morën placebo.
Ndërsa rezultatet për funksionet njohëse dhe diabetin e tipit 2 ishin të ngjashme mes grupeve, ata që morën suplementin kishin 27% më pak gjasa të vdisnin nga shkaqe të lidhura me zemrën.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky studim nuk kishte për qëllim të vlerësonte nëse ngrënia e çokollatës është e dobishme.
“Pyetja është nëse përbërësit bioaktivë të kakaos mund të jenë të dobishëm për shëndetin”, tha Howard Sesso, një nga drejtuesit e studimit.
Çokollata mund të ngadalësojë plakjen
Studiues nga King’s College London kanë lidhur së fundmi teobrominën me ngadalësimin e plakjes.
Ata analizuan të dhëna nga mbi 1,600 persona dhe zbuluan se ata me nivele më të larta të teobrominës në gjak kishin një moshë biologjike më të ulët se ajo kronologjike.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për moderim.
“Çokollata, edhe ajo e zezë, është një ëmbëlsirë dhe jo një ushqim i shëndetshëm në vetvete”, tha Dimitrios Koutoukidis nga Universiteti i Oksfordit.
Ai shton se nëse njerëzit e konsumojnë, duhet ta bëjnë rrallë dhe në sasi të vogla.
A janë të gjitha çokollatat njësoj?
Ekspertët paralajmërojnë se çokollata komerciale zakonisht përmban nivele shumë më të ulëta të përbërësve të dobishëm sesa produktet e kakaos të përdorura në studime.
Ndër llojet më të zakonshme, çokollata e zezë përmban përqendrimet më të larta të flavanoleve dhe më pak sheqer e yndyra të shtuara.
Çokollata e bardhë konsiderohet më pak e dobishmja, pasi përmban gjalpë kakao, por jo lëndë të ngurta kakaoje, dhe ka nivele të larta yndyre dhe sheqeri.
Mbetet ende e paqartë se sa çokollatë duhet konsumuar për të përfituar nga efektet shëndetësore dhe nëse përbërësit e shtuar gjatë përpunimit, si sheqeri, qumështi dhe gjalpi i kakaos, i zbehin këto përfitime.
