Në një kohë që Shqipëria është `dyndur` nga turistë të huaj këtë vit, si asnjëherë më parë, ka dhe nga ato shtete që e kanë `shpërfillur` tërësisht. Më saktësisht, gjatë periudhës Janar-Korrik të këtij viti rezulton të jenë 7 vende në të gjithë botën nga të cilat nuk është regjistruar asnjë hyrje në vendin tonë. Më saktësisht ato janë: Belize, Eritrea, Greenland, Santa Lucia, Lesotho, Mayotte dhe British Indian Ocean Territory.
Gjithsesi, këto janë 7 lokalitetet e vetme nga të cilat Instat nuk raporton asnjë hyrje të shtetasve të huaj në vendin tonë sa i përket 7 muajve të parë të vitit.
Por, ka edhe disa shifra të tjera që bien në sy nga analiza e numrave, duke vënë disi në pikëpyetje cilësinë e statistikave publike për të disatën herë. Nëse shohim hyrjet e shtetasve nga Korea e Veriut në vendin tonë, ato figurojnë pranë 1872. Kjo shifër duket absurde duke pasur parasysh së bëhet fjalë për vendin më të izoluar në botë sot. Madje, sipas Instat, turistët nga Korea e Veriut në Shqipëri këto 7 muaj kanë qenë më të shumtë në numër se ata nga Korea e Jugut, me 1760 të tillë.
Madje, sipas Instat, 1759 ndër 1760 shtetasit e huaj nga Korea e Jugut që kanë hyrë në Shqipëri këto 7 muaj, kanë hyrë të gjithë në muajin Prill, pra 99.95% e totalit. Korea e Veriut, sipas këtyre shifrave renditet e 6-ta ndër vendet aziatike sa i përket origjinës së turistëve të huaj në vendin tonë. Këto numra flasin qartazi për një gabim në të dhëna. Edhe pse bëhet fjalë për diçka më pak se 2 mijë turistë, këto shifra cënojnë edhe një herë kredibilitetin e statistikave publike në vendin tonë.
