Një projektligj në konsultim për krijimin e Fondit Kombëtar për Artin, parashikon që 10% e kursimeve të krijuara nga procedurat e prokurimit publik në nivel kombëtar të kalojnë për financimin e artit dhe trashëgimisë kulturore.
Ky mekanizëm synon të përdorë fondet e pashpenzuara nga tenderët publikë për blerjen e veprave të artit dhe objekteve me vlerë historike, pa krijuar kosto të reja për buxhetin e shtetit.
Sipas draftit, kursimet financiare do të konsolidohen nga ministria përgjegjëse për financat dhe më pas një pjesë prej tyre, në masën 10%, do të alokohet për Fondin, duke u bërë një burim i qëndrueshëm financimi për sektorin kulturor.
Ky parashikim mbështetet në parimin e neutralitetit fiskal, duke synuar që mbështetja për artin të vijë nga eficienca në shpenzimet publike dhe jo nga rritja e shpenzimeve buxhetore.
Projektligji parashikon krijimin e një fondi special publik, pjesë e Buxhetit të Shtetit, i cili do të administrohet nga ministria përgjegjëse për kulturën. Fondi nuk do të ketë personalitet juridik, ndërsa administrimi financiar dhe raportimi do të bëhen sipas rregullave të menaxhimit të financave publike.
Qëllimi i tij është pasurimi i koleksioneve publike, mbrojtja dhe rikthimi i veprave me vlerë historike, si dhe nxitja e krijimtarisë artistike. Përmes këtij instrumenti synohet krijimi i një mekanizmi të dedikuar për blerjen e veprave që aktualisht nuk mbulohen nga fondet ekzistuese, duke garantuar gjithashtu ekspozimin e tyre në hapësira publike dhe institucione shtetërore.
Blerja e veprave do të realizohet nga një komision i posaçëm me ekspertë vendas dhe të huaj, ndërsa procedurat mund të zhvillohen përmes ankandeve kombëtare apo ndërkombëtare, ose marrëveshjeve direkte, për shkak të natyrës unike të objekteve artistike. Vendimet e këtij komisioni do të jenë të dokumentuara dhe publike, si pjesë e mekanizmave të transparencës.
Veprat e blera do të kalojnë në pronësi publike dhe do të regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore, ndërsa administrimi, ruajtja dhe ekspozimi i tyre do të realizohet nga institucionet publike përkatëse.
Drafti parashikon gjithashtu mundësinë e financimit përmes donacioneve dhe sponsorizimeve, të cilat do të administrohen veçmas dhe do t’i nënshtrohen kontrollit financiar dhe auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në të njëjtën kohë, çdo vit do të publikohet lista e veprave të blera dhe përdorimi i fondeve, në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies./ekofin.al
