Shtohen më tej fluturimet direkte nga Rinasi në drejtim të qyteteve kryesore evropiane. Së fundmi, linja ajrore nordike airBaltic njoftoi zyrtarisht se do të ofrojë 11 fluturime të reja nga Letonia, Lituania dhe Estonia drejt Ballkanit.
Duke filluar nga data 2 maj 2024, airBaltic do të ofrojë fluturime direkte Tiranë – Riga, ndërkohë që linja direkte Prishtinë – Riga do të nisë nga data 4 maj 2024.
AirBaltic nisi këtë vit fluturime direkte nga vendet baltike drejt Dubrovnikut, Splitit, Selanikut, Korfuzit, Beogradit e Tivarit.
Tashmë, për sezonin e ardhshëm veror parashikohet të happen edhe 11 linja të reja, ku përveç Shqipërisë dhe Kosovës, do të ofrohen fluturime direkte edhe me Bullgarinë, Slloveninë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, etj.
Nisja e fluturimeve direkte pritet të ketë impakt direkt në rritjen e turistëve nga këto shtete në Shqipëri. Gjithashtu, çmimet e biletave vlerësohen konkurruese, marrë në konsideratë distancën mes vendeve. Kështu për t’u fluturuar drejt Letonisë, çmimi për një biletë në linjën Tiranë – Riga nis nga 104.99 euro.
Fluksi i fluturimeve nga Aeroporti i Rinasit në drejtim të destinacioneve evropiane është rritur ndjeshëm, duke arritur kulmin përgjatë verës së këtij viti. Gjithashtu, në muajin nëntor, një tjetër linjë loë cost, Ryanair, parashikohet të nisë fluturimet drejt disa destinacioneve, gjë që pritet të lehtësojë dhe ulë kostot për shqiptarët. /ekofin.al
