Gjatë vitit 2025, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka trajtuar në total 424 çështje, ku 404 prej tyre janë ankesa dhe 20 çështje janë nisur ex-officio.
Sipas raportit, 342 çështje janë regjistruar gjatë vitit 2025, ndërsa 82 janë çështje të mbartura nga viti 2024. Krahasuar me një vit më parë, vihet re një rritje e volumit të punës, pasi në vitin 2024 janë trajtuar 380 çështje, ndërsa në 2025 ky numër arrin në 424, ndërkohë që çështjet e reja janë rritur nga 268 në 342.
Pjesa dërrmuese e rasteve ka nisur mbi bazën e ankesave, ku nga 404 çështje të shqyrtuara, 356 ankesa janë paraqitur nga individë, 26 nga organizata me interesa legjitime dhe 22 nga grupe personash. Në terma strukturorë, kjo përkthehet në një dominim të qartë të ankesave individuale, të cilat përbëjnë rreth 87.3% të totalit në vitin 2025, ndërsa organizatat zënë 7.6% dhe grupet e personave 5.1%. Krahasuar me vitin 2024, pesha e organizatave mbetet e pandryshuar, ndërsa vihet re një rritje e lehtë e rolit të individëve.
Shpërndarja gjeografike tregon një përqendrim të lartë të ankesave në disa bashki kryesore, ku Tirana kryeson me 182 ankesa, e ndjekur nga qytete si Korça me 27 raste dhe Durrësi me 24 raste. Ndërkohë, në disa bashki janë regjistruar vetëm 1 deri në 3 ankesa, çka tregon një shpërndarje të pabarabartë territoriale të fenomenit.
Sa u përket shkaqeve të pretenduara për diskriminim, gjatë vitit 2025 janë depozituar 139 ankesa, nga 89 në vitin 2024, duke reflektuar një rritje të ndjeshme. Shkaqet më të shpeshta lidhen me kategori si arsimi, punësimi, gjendja ekonomike dhe sociale, si dhe kategori të tjera të mbrojtura nga ligji, përfshirë racën, etninë, gjininë, orientimin seksual apo aftësinë e kufizuar.
Analiza sipas fushave tregon se pesha më e madhe e çështjeve lidhet me fushën e të mirave dhe shërbimeve, me 207 çështje të trajtuara, e ndjekur nga punësimi me 167 çështje dhe arsimi me 50 çështje. Në terma përqindjeje, kjo përkthehet në 48.8% të çështjeve në fushën e të mirave dhe shërbimeve, 39.4% në punësim dhe 11.8% në arsim. Krahasuar me vitin 2024, vihet re një rritje e ndjeshme në fushën e shërbimeve dhe punësimit, ndërsa në arsim evidentohet rënie.
Në fushën e të mirave dhe shërbimeve, 154 ankesa janë drejtuar kundër subjekteve publike dhe 53 kundër subjekteve private. Brenda sektorit publik, 74 raste lidhen me institucione të pushtetit qendror dhe 80 me pushtetin vendor. Në raport me vitin 2024, ankesat ndaj subjekteve publike janë rritur me 36.6%, ndërsa ato ndaj subjekteve private kanë shënuar rënie me 18.5%.
Gjatë vitit 2025, Komisioneri me 47 vendime kanë konstatuar diskriminim, ndërsa 54 vendime kanë konstatuar mosdiskriminim. Pesha më e madhe e vendimmarrjes lidhet me mospranimin e ankesave, me 134 raste, ndërsa në 30 raste procedurat janë ndërprerë pasi është arritur efektiviteti i qëllimit të hetimit. Po ashtu, janë evidentuar 10 vendime pushimi për shkak të tërheqjes së ankesës dhe 9 raste pushimi për shkak se çështjet po ndiqeshin në gjykatë.
Në total, bashkë me 9 vendime me gjobë, numri i vendimeve dhe rekomandimeve arrin në 296, ndërsa vlera e gjobave të vendosura kap shumën 1.560.000 lekë, kryesisht për moszbatim të vendimeve dhe mosdhënie informacioni ndaj institucionit. /ekofin.al

