Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka nisur vitin 2026 me një rritje të moderuar, duke konfirmuar stabilitetin e sektorit, por edhe sfidat që lidhen me strukturën e tij të orientuar fort drejt sigurimeve motorike.
Sipas të dhënave për periudhën janar-shkurt, të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën në 3.9 miliardë lekë, me një rritje prej 3.07% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa numri i kontratave u rrit me vetëm 0.22%.
Struktura e tregut mbetet pothuajse e pandryshuar, me sigurimet e Jo-Jetës që dominojnë me 90.75% të totalit, ndërsa sigurimet e Jetës mbeten në nivele të ulëta, me vetëm 9.25%. Nga ana tjetër, sigurimet e detyrueshme vijojnë të mbajnë peshën kryesore të tregut, me mbi 60% të primeve totale, duke reflektuar varësinë e sektorit nga produktet motorike.
Sigurimi i detyrueshëm motorik vijon të jetë shtylla kryesore e tregut, duke gjeneruar rreth 2.38 miliardë lekë prime, me një rritje prej 3.77%. Brenda këtij segmenti, produkti MTPL i brendshëm shënoi një performancë pozitive, me rritje të primeve me 5.26% dhe zgjerim të numrit të kontratave me 7.93%, duke treguar një rritje të bazës së të siguruarve.
Në të kundërt, produktet e lidhura me lëvizjet ndërkufitare, si Kartoni Jeshil dhe sigurimi kufitar, kanë pësuar rënie të ndjeshme, si në volum primesh ashtu edhe në numrin e kontratave, duke reflektuar një tkurrje të aktivitetit në këtë segment.
Në krahun tjetër, sigurimet vullnetare kanë shënuar një rritje më të moderuar në vlerë, por më dinamike në numrin e kontratave. Primet arritën në rreth 1.55 miliardë lekë (+2%), ndërsa kontratat u rritën me 7.72%, çka sugjeron zgjerim të penetrimit të produkteve vullnetare në treg. Brenda tyre, segmenti i pronës dhe përgjegjësive mbetet dominues, me mbi 608 milionë lekë prime, ku sigurimi nga zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë zë peshën kryesore.
Veçanërisht i fortë paraqitet portofoli i sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës, i cili ka shënuar një rritje të ndjeshme prej 18.58% në prime, duke reflektuar rritjen e ndërgjegjësimit për riskun dhe nevojën për mbrojtje të aseteve. Ndërkohë, sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit vijojnë trendin pozitiv me një rritje prej 3.24%, ndërsa sigurimet e jetës mbeten në rritje minimale prej 1.13%, duke treguar ende një zhvillim të kufizuar të këtij segmenti në Shqipëri.
Nga ana tjetër, një tregues që meriton vëmendje është rritja më e shpejtë e dëmeve krahasuar me primet. Gjatë janar-shkurt 2026, dëmet e paguara bruto arritën në rreth 1.38 miliardë lekë, me një rritje prej 8.5%, dukshëm më e lartë se rritja e të ardhurave. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 72%, i përket sigurimit motorik, duke konfirmuar edhe njëherë peshën e lartë të këtij segmenti në riskun e përgjithshëm të tregut.
Në terma të dëmit mesatar, MTPL e brendshme ka shënuar rritje me mbi 10%, ndërsa Kartoni Jeshil dhe Kasko kanë pësuar ulje, çka tregon ndryshime në profilin e dëmeve dhe kostove për kompanitë e sigurimit. /ekofin.al
