Shqipëria po përgatit një kuadër të ri ligjor për të forcuar mbikëqyrjen e grupeve të mëdha financiare që operojnë njëkohësisht në bankë, sigurime dhe tregjet e investimeve, duke synuar të mbyllë një boshllëk të rëndësishëm në arkitekturën rregullatore të vendit. Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, nisma synon krijimin e një mbikëqyrjeje shtesë prudenciale për institucionet e kreditit, shoqëritë e sigurimeve dhe shoqëritë komisionere që janë pjesë e konglomerateve financiare, në përputhje të plotë me Direktivën 2002/87/EC të Bashkimit Evropian, e njohur si FICOD, si edhe me ndryshimet e mëvonshme të saj.
Projektligji vjen në një moment kur sektori financiar shqiptar mbikëqyret ende kryesisht mbi baza sektoriale, ku Banka e Shqipërisë mbulon bankat dhe subjektet e tjera financiare jo-bankare, ndërsa Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mbikëqyr sigurimet, tregun e titujve dhe fondet. Sipas dokumentit, pikërisht kjo ndarje lë hapësirë për një “vakum rregullator”, pasi mungon një mekanizëm i integruar që të shohë tërësinë e rreziqeve të një grupi financiar kur ai është i shtrirë në më shumë se një sektor.
Në thelb, projektligji synon të parandalojë rreziqe që mund të kalojnë nga një sektor te tjetri brenda të njëjtit grup, si përdorimi i dyfishtë i kapitalit, leverazhi i tepruar, arbitrazhi rregullator dhe përhapja e krizës nga një subjekt te tjetri. Relacioni nënvizon se kjo qasje do të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit financiar, në rritjen e transparencës së grupeve të mëdha dhe në mbrojtjen e interesave të klientëve, investitorëve dhe konsumatorëve.
Një nga elementët kyç të nismës është përkufizimi i qartë i “konglomeratit financiar”. Sipas draftit, një grup do të konsiderohet i tillë nëse përfshin të paktën një subjekt bankar dhe një subjekt sigurimi apo investimi, ndërsa aktiviteti ndërsektorial duhet të kalojë pragje të caktuara. Dokumenti saktëson se, ndryshe nga pragu prej 6 miliardë eurosh i parashikuar në logjikën e direktivës evropiane, në projektligjin shqiptar është propozuar një prag tranzitor prej 100 milionë eurosh, i përshtatur me madhësinë reale të tregut vendas. Kjo bëhet me synimin që edhe grupe relativisht më të vogla në terma evropianë, por potencialisht me peshë sistemike në Shqipëri, të futen në radarët e mbikëqyrjes shtesë.
Projektligji i jep një rol qendror bashkëpunimit mes Bankës së Shqipërisë dhe AMF-së. Dy institucionet do të identifikojnë së bashku konglomeratet financiare dhe do të përcaktojnë “koordinatorin”, pra autoritetin që do të udhëheqë mbikëqyrjen shtesë të grupit. Në përgjithësi, ky rol do t’i takojë autoritetit të sektorit dominues në grup, por në rast mosdakordësie parashikohet një mekanizëm rezervë, ku Banka e Shqipërisë merr rolin e koordinatorit nëse në grup ka një bankë. Gjithashtu, koordinatori do të ketë të drejtën të kërkojë informacion edhe nga subjekte që nuk licencohen drejtpërdrejt prej tij, me synimin për të shmangur boshllëqet informative në mbikëqyrje.
Në planin praktik, mbikëqyrja shtesë do të fokusohet te kapitali i konsoliduar në nivel grupi, përqendrimi i rrezikut, transaksionet brenda grupit, si dhe sistemet e përbashkëta të menaxhimit të rrezikut dhe kontrollit të brendshëm. Sipas relacionit, kjo do të thotë se grupet financiare nuk do të mund të mbështeten vetëm te përmbushja formale e kërkesave nga secili subjekt më vete, por do të duhet të provojnë që janë të qëndrueshme edhe si strukturë e integruar.
Nga pikëpamja e integrimit evropian, projektligji paraqitet si një hallkë e rëndësishme për Kapitullin 9 “Shërbimet financiare”. Relacioni thekson se kjo nismë lidhet drejtpërdrejt me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe me nevojën për të afruar legjislacionin shqiptar me acquis communautaire. Dokumenti shkon deri aty sa e konsideron shkallën e përafrimit me direktivat përkatëse si të plotë, duke argumentuar se ligji i ri do të forcojë besueshmërinë e Shqipërisë në raport me tregun financiar evropian dhe do të lehtësojë bashkëpunimin me mbikëqyrësit e huaj. /ekofin.al
