Qeveria ka miratuar dhe kaluar projektligjin që ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, të periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore.
Projektligji u jep zgjidhje kategorisë që janë ende pa një pension, sepse nuk kanë arritur të plotësojnë kushtin minimal të periudhës së sigurimit dhe që mund të jenë në shqyrtim administrativ apo gjyqësor dhe patjetër edhe kategorisë që u lind e drejta për pension nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji e në vijim.
Për të punësuarit në ish-ndërmarrjet shtetërore do të njihet si periudhë e përgjithshme sigurimi për efekt pensioni, koha e punësimit nga mosha 18 vjeç/data e përfundimit të shkollës së lartë deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, me kusht që kërkuesi të ketë pasur vendbanimin në qytet dhe nuk ka vuajtur dënimin me heqje lirie.
Periudha e punësimit për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension merret me pagë referuese:
- 3 288 (tre mijë e dyqind e tetëdhjetë e tetë) lekë, sipas VKM-së nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, për personat mbi 18 vjeç deri në hyrjen në fuqi të ligjit për sigurimet shoqërore dhe
- 4 110 (katër mijë e njëqind e dhjetë) lekë, sipas VKM-së nr.561, datë 12.8.2005, për periudhën nga data e përfundimit të shkollës së lartë deri në hyrjen në fuqi të ligjit për sigurimet shoqërore.
Për të punësuarit në ish kooperativat bujqësore do të njihet si periudhë e përgjithshme sigurimi për efekt pensioni nga mosha 18 vjeç, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, me kusht që kërkuesi të ketë pasur vendbanimin në fshat dhe nuk ka vuajtur dënimin me heqje lirie.
Paga referuese për periudhën e sigurimit për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension, të jetë sipas përcaktimeve në vendimin nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar.
Ndërkohë, për të punësuarit në ish-ndërmarrjet bujqësore, paga referuese për periudhën e sigurimit për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension të jetë 2 833 (dy mijë e tetëqind e tridhjetë e tre) lekë.
Këshilli i Ministrave, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji do të miratojë listën e ish-kooperativave bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore, sipas vitit të krijimit të tyre me përcaktimin e territorit të ushtrimit të aktivitetit.
Ndërsa ministri përgjegjës për sigurimet shoqërore, me propozim të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, brenda 1 (një) muaji nga miratimi i listës së ish-kooperativave bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore, do të nxjerrë rregulloren për përcaktimin e procedurës e të rregullave të hollësishme për zbatimin e këtij ligji.
Projektligji do t’i përcillet për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ndërsa do të hyjë në fuqi pasi të botohet në Fletoren Zyrtare./ekofin.al

