Autoritetet publike do të detyrohen të kenë faqet zyrtare të internetit të përditësuar me informacion të plotë dhe të detajuar, në të cilat qytetarët do të kenë akses të plotë.
Vendimi i qeverisë i detyron autoritetet të publikojnë përveç informacionit bazë të vendndodhjes së tyre edhe adresën e postës elektronike shtetërore dhe çdo adresë tjetër ky qytetarët dhe bizneset mund të drejtohen për të kërkuar ndihmë në mënyrë efikase.
Autoritetet duhet të publikojnë gjithashtu listën e shërbimeve publike elektronike që ofrojnë në platformën qeveritare “e-Albania”. Midis të tjerash, ato duhet të informojnë qytetarët për ndalimin e përdorimit të informacionit për qëllime tregtare, pa leje të posaçme nga autoriteti publik. Mosrespektimi i këtij kufizimi sjell përgjegjësi ligjore për përdoruesin;
Informacioni i publikuar në faqet zyrtare të internetit duhet përdoret i patjetërsuar dhe vetëm për qëllime të ligjshme, thuhet në vendim.
Qytetarët do të kenë akses nga çdo pajisje me internet, pavarësisht specifikimeve të tyre. Një risi është që faqet zyrtare duhet të pajisen me funksionalitete të dedikuara për personat me aftësi ndryshe si: zoom, e cila ndihmon kategorinë e personave me pamje të kufizuar; kontrast, i cili ndihmon kategorinë e personave me disleksi); dhe navigimi me TAB që ndihmon kategorinë e personave paraplegjikë.
Sa u përket faqeve zyrtare të cilat ofrojnë informacion ose shërbime për të miturit, ato duhet të përmbajnë udhëzime specifike për prindërit apo kujdestarët, duke përfshirë edhe udhëzime për sigurinë e të dhënave dhe përdorimin e shërbimeve on-line nga fëmijët;
Informacioni që publikohet në faqet zyrtare të internetit të autoriteteve publike është i lirë të shkarkohet dhe shpërndahet, si dhe të përdoret, me kusht që të tregohet në mënyrë të qartë burimi i tij dhe të mos paraqitet si informacion origjinal, nëse ka pësuar ndryshime.
Njëkohësisht, autoritetet detyrohen të garantojnë sigurinë e lundrimit në faqet e tyre, të sigurojnë ndihmë në kohë reale për përdoruesit dhe të mbrojnë të dhënat personale të tyre, thuhet në vendim./ekofin.al

