Rritja e ndërgjegjësimit dhe aksesit në kanalet e komunikimit me administratën tatimore ka sjellë një rritje të fortë të ankesave nga bizneset dhe individët gjatë vitit 2025. Sipas raportit zyrtar të Drejtorisë së Avokatit të Tatimpaguesit, numri i kërkesave dhe ankesave të trajtuara arriti në 298 raste, duke u katërfishuar krahasuar me një vit më parë.
Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me promovimin e rolit të Avokatit të Tatimpaguesit dhe përfshirjen e mesazheve informuese në sistemin “e-filing”, çka solli një fluks të lartë kërkesash, veçanërisht në muajt e parë të vitit. Vetëm për një periudhë njëmujore, u regjistrua një rritje e ndjeshme e aplikimeve elektronike nga tatimpaguesit, duke treguar një përdorim më të madh të kanaleve digjitale.
Nga totali i rasteve, 136 ankesa janë trajtuar në rrugë shkresore, ndërsa 134 në mënyrë elektronike. Nga këto, 48 raste janë pranuar për shqyrtim të plotë dhe kanë gjetur zgjidhje në bashkëpunim me administratën tatimore, ndërsa 88 janë refuzuar për mungesë kompetence ose mosplotësim kriteresh.
Elementi më domethënës i raportit lidhet me rezultatin e trajtimit të çështjeve: 99% e rasteve të shqyrtuara janë zgjidhur në favor të tatimpaguesve, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me 74% në vitin 2024. Kjo tregon jo vetëm një rol më aktiv të kësaj strukture, por edhe një reflektim më të madh të administratës tatimore ndaj problematikave të ngritura.
Raporti evidenton gjithashtu përshpejtim të afateve të trajtimit të ankesave, duke reflektuar një koordinim më të mirë mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe strukturave rajonale.
Megjithatë, pavarësisht progresit, dokumenti nxjerr në pah një sërë problematikash të vazhdueshme në marrëdhënien tatimpagues–administratë. Një nga shqetësimet kryesore lidhet me mungesën e dokumentimit të asistencës së dhënë nga administrata, veçanërisht në komunikimet telefonike, çka i vendos tatimpaguesit në pozitë të pafavorshme në rastet e ankimimit.
Po ashtu, raporti evidenton boshllëqe në procedurat e kontrollit tatimor, mungesë standardizimi të dokumentacionit dhe pasiguri juridike për afatet e kontrollit, duke krijuar hapësira për zvarritje proceduriale.
Në raport theksohen gjithashtu vështirësitë që lidhen me rimbursimin e detyrimeve tatimore për subjektet që çregjistrohen, ku mungesa e informacionit apo procedurave të qarta çon në humbje të të drejtave financiare për tatimpaguesit.
Për të adresuar këto çështje, Avokati i Tatimpaguesit ka propozuar një paketë rekomandimesh që përfshijnë ndryshime në ligjin procedural tatimor, standardizimin e procedurave të kontrollit, garantimin e të drejtës për informim të dokumentuar dhe automatizimin e disa proceseve, si sistemimi i pagesave të dyfishta. /ekofin.al
