Një projektligj i ri, i hedhur për konsultim publik, synon të adresojë një nga boshllëqet më të mëdha të tregut financiar në Shqipëri: mungesën e transparencës dhe standardizimit të informacionit për investitorët. Projektligji “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve” krijon një kuadër të plotë ligjor për publikimin, depozitimin dhe aksesin në informacionin financiar dhe korporativ të shoqërive të listuara, duke synuar rritjen e besueshmërisë së tregut dhe afrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Në një treg kapitali që mbetet ende në faza zhvillimi, me pak emetues dhe aktivitet të kufizuar, mungesa e kërkesave të unifikuara për raportim ka krijuar shpesh asimetri informacioni dhe pasiguri për investitorët. Drafti i ri synon të vendosë rregulla të qarta dhe të detyrueshme për raportimin financiar periodik dhe informacionin e vazhdueshëm, duke përfshirë raportet vjetore dhe gjashtëmujore, deklarimin e ndryshimeve në strukturën e pronësisë dhe të drejtave të votimit, si dhe publikimin e të dhënave mbi rreziqet, performancën dhe qeverisjen e emetuesve.
Një element kyç i projektligjit është forcimi i të drejtave të investitorëve dhe garantimi i aksesit të barabartë në informacion. Ligji parashikon që informacioni i rregulluar të publikohet në mënyrë të standardizuar dhe të jetë i aksesueshëm përmes mekanizmave elektronikë dhe një sistemi të ruajtjes qendrore, duke synuar që investitorët të kenë informacion të plotë, të saktë dhe në kohë për vendimmarrje. Kjo pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e besimit në treg dhe në përmirësimin e mekanizmave të formimit të çmimeve.
Drafti shkon më tej duke vendosur rregulla të detajuara për transparencën e pronësisë dhe kontrollit, përmes detyrimit për raportimin e zotërimeve të mëdha në kapital dhe të drejtave të votimit, duke filluar nga pragu 5% dhe deri në 75%. Për herë të parë, detyrimet shtrihen edhe mbi instrumentet financiare që krijojnë ndikim indirekt në kontrollin e shoqërive, duke synuar të shmangin praktikat e fshehjes së pronësisë reale dhe të rrisin transparencën mbi strukturat e kontrollit.
Një tjetër komponent i rëndësishëm është forcimi i rolit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të ketë kompetenca të zgjeruara për monitorim, hetim dhe ndërhyrje në treg, përfshirë pezullimin e tregtimit në raste shkeljesh dhe vendosjen e sanksioneve të konsiderueshme. Gjobat e parashikuara janë në nivele të larta, deri në 10 milionë euro ose 5% të xhiros për subjektet juridike dhe deri në 2 milionë euro për individët, duke reflektuar një qasje më të fortë për garantimin e disiplinës së tregut.
Projektligji është i harmonizuar me Direktivën e Transparencës së Bashkimit Evropian dhe aktet përkatëse zbatuese, duke përfshirë edhe zhvillimet më të fundit në raportimin financiar dhe të qëndrueshmërisë, si dhe parashikon integrimin e ardhshëm me mekanizmat evropianë të aksesit në informacion. Kjo e bën atë një instrument të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian dhe në përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të kapitujve negociues.
Megjithëse zbatimi i tij do të sjellë kosto shtesë për emetuesit, si përgatitja e raporteve sipas standardeve ndërkombëtare, auditimi dhe investimet në sisteme raportimi elektronik, këto konsiderohen si investime të domosdoshme për ndërtimin e një tregu kapitali funksional. Në perspektivë, përfitimet pritet të jenë më të mëdha, duke krijuar mundësi të reja financimi për bizneset shqiptare dhe duke reduktuar varësinë nga sistemi bankar. /ekofin.al
