Tregu i sigurimeve ka regjistruar një rritje të moderuar në fillim të vitit 2026, duke konfirmuar stabilitetin e sektorit dhe dominimin e vazhdueshëm të aktivitetit të sigurimeve Jo-Jetë. Sipas të dhënave statistikore të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë muajit janar 2026 vëllimi i primeve të shkruara bruto arriti në mbi 2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.45% krahasuar me janarin 2025.
Rritja në muajin e parë të vitit është udhëhequr më shumë nga tregu i Jo-Jetës, i cili është rritur me 2.91%, ndërsa tregu i Jetës shënoi rënie me 1%.
Numri i kontratave të sigurimit nuk ka shënuar ndryshime krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në janar 2026, sipas të dhënave të AMF janë lidhur 118,431 kontrata sigurimi, ose vetëm 0.07% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në të njëjtën kohë, dëmet e paguara nga shoqëritë e sigurimit gjatë muajit janar 2026 arritën në 638.8 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 6.96% krahasuar me janarin 2025. Edhe këtu panoramat janë të ndryshme. Dëmet e paguara në tregun e Jo-Jetës u rritën me 1.26%, ndërsa ato në tregun e Jetës ranë me 59%. Rezulton gjithashtu se ka një rënie me 60% e dëmeve Fond Kompesimi, shifër që ka sjellë ndikim në vlerën totale të dëmeve të paguara. Gjithsesi të dhënat e janarit janë të pamjaftueshme për të krijuar një tablo të plotë për ecurinë e këtij viti.
Segmenti i sigurimeve Jo-Jetë vazhdon të dominojë qartë industrinë e sigurimeve në Shqipëri. Gjatë muajit janar 2026, vëllimi i primeve të shkruara bruto në këtë segment arriti në 1.8 miliardë lekë. Gjithashtu, edhe sa i përket kontratave të nënshkruara, ky segment ka pjesën e luanit, me 106,670 të tilla, nga 118,431 kontrata sigurimi në total.
Pesha e lartë e këtij segmenti lidhet kryesisht me rëndësinë që kanë sigurimet motorike, veçanërisht sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë ndaj palëve të treta dhe produkte të tjera të lidhura me automjetet, të cilat përbëjnë bazën e aktivitetit të tregut shqiptar të sigurimeve.
Ndryshe nga segmenti i Jo-Jetës, sigurimet e Jetës kanë shënuar një rënie të lehtë gjatë muajit të parë të vitit. Vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimet e Jetës arriti në 186 milionë lekë. Po ashtu, numri i kontratave në këtë segment arriti në 11,758, ose 0.52% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat konfirmojnë se tregu shqiptar i sigurimeve vijon të mbetet i përqendruar kryesisht në sigurimet Jo-Jetë, ndërsa segmenti i Jetës mbetet relativisht i kufizuar, ndonëse me potencial zhvillimi në periudhën afatgjatë. /ekofin.al
