Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, sektori i turizmit në Shqipëri ka shënuar rritje të ndjeshme në muajin Janar 2026, si në numrin e vizitorëve ashtu edhe në net-qëndrime.
Gjatë këtij muaji, numri i vizitorëve që u akomoduan në strukturat turistike u rrit me 15,1 % krahasuar me Janar 2025. Rritja është mbështetur si nga vizitorët vendas ashtu edhe nga ata të huaj. Konkretisht, vizitorët rezidentë u rritën me 16,8 %, ndërsa vizitorët jo-rezidentë me 13,8 %.
Edhe treguesi i net-qëndrimeve paraqet një ecuri pozitive. Në total, net-qëndrimet u rritën me 9,0 % krahasuar me një vit më parë. Rritja më e fortë është regjistruar tek vizitorët rezidentë, me 16,4 %, ndërsa net-qëndrimet e vizitorëve jo-rezidentë u rritën me 4,3 %.
Sa i përket origjinës së vizitorëve të huaj, pjesën më të madhe e zënë turistët nga Italia, të cilët përbëjnë 25 % të totalit. Pas tyre renditen vizitorët nga Kosova me 14 % dhe Gjermania me 6 %. Vizitorët nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca përbëjnë përkatësisht 5 % dhe 4 %, ndërsa 46 % e vizitorëve të huaj vijnë nga vende të tjera.
Ndërkohë, edhe shfrytëzimi i kapaciteteve hoteliere ka shënuar përmirësim. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 15,4 %, nga 14,5 % që ishte në Janar 2025.
Të dhënat tregojnë për një fillim pozitiv të vitit për sektorin e turizmit, me rritje të kërkesës si nga tregu vendas ashtu edhe nga ai ndërkombëtar./ekofin.al

