Qeveria shqiptare po sinjalizon një ndryshim të mundshëm në qasjen ndaj tregut të karburanteve, një sektor që prej vitesh është kritikuar për çmime të larta dhe konkurrencë të kufizuar. Kryeministri Edi Rama deklaroi se një nga objektivat e radhës të qeverisë është krijimi i një “faktori publik” në tregun e naftës, me qëllim rritjen e konkurrencës dhe lehtësimin e barrës financiare për qytetarët. Duke folur përpara mediave, Rama e krahasoi këtë ndërhyrje me transformimin që, sipas tij, qeveria arriti në tregun e aviacionit, ku hyrja e operatorëve të rinj dhe ndryshimi i qasjes ndaj fluturimeve çuan në rritjen e ndjeshme të trafikut dhe uljen e kostove.
Edi Rama: Një nga objektivat tona është krijimi i një faktori të ri në tregun e naftës. Faktori shtetëror, forcë publike, për të krijuar një kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët, sikundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar qasjen për fluturimet ajrore. Shqipëria kishte aeroportin më të shtrenjtë; sot ka më të suksesshmin të Ballkanit, me një diferencë mbresëlënëse nga Beogradi. Sot nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit, por është Tirana. Kjo është arritje e kësaj qeverie, me keqardhje për ata që na duan të vdekur. Sa më shumë na duan të vdekur, ne gjallërohemi.
Ne do ta krijojmë faktorin publik, dhe forcën e shtetit do ta fusim edhe në tregun e naftës. Shumë shpejt do japim shembullin sesi gjërat do të ndryshojnë edhe në tregun e naftës. Do të bëhet më e lehtë për të pasur marrëveshje me kompanitë që e shpërndajnë naftën. Sot kemi në proces ligjin e rezervave; kur e diskutuam para vitit 2020, u hodhën shumë tenxhere përpjekjeje. Në ligjin që është në konsultim publik, e kemi përcaktuar që rezerva do të shkojë në tre muaj, por kjo nuk mjafton më si masë sigurie. Qytetarët meritojnë një treg nafte që të jetë më i përballueshëm se tregu sot.
Deklaratat e Kryeministrit vijnë në një moment kur çmimet e karburanteve dhe struktura e tregut të hidrokarbureve mbeten ndër temat më të debatuara në ekonominë shqiptare. Qeveria po punon paralelisht edhe për përditësimin e ligjit për rezervat strategjike të naftës, i cili aktualisht është në proces konsultimi publik dhe synon rritjen e kapacitetit të rezervave në tre muaj. Sipas Ramës, ndërhyrja për krijimin e një faktori publik në treg dhe forcimi i rezervave strategjike do të shërbejnë si instrumente për të rritur sigurinë energjetike dhe për të ndikuar në krijimin e një tregu më të përballueshëm për qytetarët./ekofin.al
