Raporti i Ministrisë së Brendshme për vitin 2025 tregon një rritje të aktivitetit hetimor ndaj punonjësve të strukturave të sigurisë, ndërsa paralelisht është vendosur në dispozicion të qytetarëve edhe një instrument i ri për denoncime të drejtpërdrejta përmes telefonit celular.
Sipas raportit, është ka lançuar aplikacioni celular “Agjencia Dixhitale”, i disponueshëm në dy sistemet kryesore të telefonave inteligjentë. Përmes këtij aplikacioni qytetarët mund të raportojnë në mënyrë të thjeshtë dhe me anonimat të plotë çdo shkelje apo abuzim të dyshuar nga punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit Zjarrfikës, tre institucionet që mbikëqyren nga agjencia.
Në të njëjtën kohë, të dhënat e raportit tregojnë një rritje të efikasitetit të hetimeve proaktive gjatë vitit 2025, të fokusuara jo vetëm te nivelet zbatuese, por edhe te nivelet drejtuese të strukturave të policisë dhe institucioneve të tjera të sigurisë.
Gjatë vitit 2025, strukturat hetimore të agjencisë kanë referuar pranë organit të ndjekjes penale 336 referime penale për 444 punonjës të strukturave dhe shtetas. Nga këta, 95 janë punonjës policie të nivelit të parë drejtues, 330 punonjës policie të nivelit zbatues, 9 punonjës civilë administrativë, 9 efektivë të Gardës së Republikës, 1 punonjës i shërbimit zjarrfikës dhe 62 shtetas.
Megjithatë, krahasuar me vitin 2024, numri i punonjësve të referuar ka shënuar një ulje me 19 raste.
Sipas të dhënave të raportit, pesë vitet e fundit tregojnë një trend rritës të referimeve penale. Numri i punonjësve të referuar ka kaluar nga 329 në vitin 2021 në 357 në vitin 2022 dhe 342 në vitin 2023, duke arritur në 463 në vitin 2024 dhe 444 në vitin 2025. Në të njëjtën periudhë është rritur edhe numri i referimeve penale, nga 224 raste në vitin 2021 në 245 në vitin 2022 dhe 249 në vitin 2023, për të arritur në 307 në vitin 2024 dhe 336 në vitin 2025.
Në kuadër të këtyre hetimeve janë ndërmarrë edhe masa të drejtpërdrejta nga oficerët e policisë gjyqësore të agjencisë. Janë kryer ndalime dhe arrestime në flagrancë, si dhe janë ekzekutuar vendime gjykate për 133 persona. Nga këta, 26 janë punonjës policie të nivelit të parë drejtues, 78 punonjës policie të nivelit zbatues, 5 punonjës administrativë, 5 efektivë të Gardës së Republikës, 1 punonjës i PMNZSH dhe 18 shtetas.
Edhe numri i personave të arrestuar apo ndaj të cilëve është vendosur masë sigurie ka ndjekur një trend të luhatshëm në pesë vitet e fundit: nga 99 persona në vitin 2021, në 139 në vitin 2022 dhe 124 në vitin 2023, duke arritur kulmin me 159 persona në vitin 2024 dhe duke rënë në 133 persona në vitin 2025. /ekofin.al

