Administrata Tatimore dhe Administrata Doganore kanë nënshkruar një plan të përbashkët operacional për monitorimin dhe kontrollin e tregut të produkteve energjetike, me synim forcimin e mbikëqyrjes fiskale dhe rritjen e transparencës në sektorin e karburanteve.
Plani parashikon zhvillimin e kontrolleve të koordinuara në të gjithë territorin e Shqipërisë deri më 30 qershor 2026, duke u fokusuar veçanërisht tek subjektet që ushtrojnë aktivitet në tregtimin me pakicë të karburanteve.
Sipas autoriteteve, kontrollet do të bazohen në analizën e riskut dhe do të synojnë evidentimin e shkeljeve të mundshme në zinxhirin e furnizimit dhe të tregtimit të produkteve energjetike, një sektor që konsiderohet me ndjeshmëri të lartë fiskale dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit.
Gjatë inspektimeve të përbashkëta do të verifikohet përputhshmëria mes sasisë së karburantit të furnizuar dhe asaj të shitur, origjina e produktit, si dhe respektimi i detyrimeve fiskale nga operatorët e tregut. Gjithashtu do të kontrollohet fiskalizimi i shitjeve, përputhshmëria e çmimeve të afishuara në pikat e karburanteve me faturat fiskale dhe regjistrimi i punonjësve sipas legjislacionit në fuqi.
Ky aksion i koordinuar synon të adresojë problematikat që lidhen me informalitetin dhe me praktikat e pandershme në treg, duke rritur nivelin e kontrollit mbi zinxhirin e furnizimit të karburanteve, nga importi deri tek shitja me pakicë.
Autoritetet theksojnë se bashkëpunimi ndërinstitucional mes administratës tatimore dhe asaj doganore është një element kyç për formalizimin e tregut të produkteve energjetike, si dhe për garantimin e një tregu më transparent dhe konkurrues.
Në të njëjtën kohë, kjo nismë synon të forcojë mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet e mundshme me çmimet e karburanteve dhe të sigurojë zbatimin korrekt të legjislacionit fiskal dhe tregtar në këtë sektor strategjik të ekonomisë shqiptare./ekofin.al

