Hyn në fuqi udhëzimi i ministrit të Ekonomisë me programet e formimit profesional që do të mbështeten financiarisht gjatë vitit 2026 në kuadër të programit të nxitjes së punësimit.
Sipas udhëzimit, për vitin 2026 mbështetja financiare do të jepet për dy fusha kryesore të formimit profesional: programimin dhe industrinë kulturore dhe kreative.
Në fushën e programimit përfshihen kurse që lidhen me kodimin dhe programimin kompjuterik, zhvillimin e aplikacioneve, robotikën dhe elektronikën, shkencën e të dhënave, sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale. Po ashtu përfshihen trajnimet për testimin dhe dizajnin e software-ve, dizajnin e faqeve web, dizajnin e përvojës dhe ndërfaqes së përdoruesit (UX/UI), mësimin makinerik, realitetin virtual dhe të shtuar, si edhe fusha të tjera të ngjashme të teknologjisë.
Ndërkohë, në sektorin e industrive kulturore dhe kreative përfshihen programe që lidhen me prodhimin artistik dhe audioviziv, si departamenti artistik, kinematografia dhe kamera, kostumografia, ndriçimi dhe pajisjet teknike, teknika e zërit dhe pas-produksioni, efektet vizuale dhe speciale, produksioni dhe regjizura, rekuizitat dhe dekorimi i skenës, si edhe aktivitetet e promovimit dhe publicitetit.
Fondet për zbatimin e këtyre programeve për vitin 2026, mbulohen nga fondet e programit të nxitjes së punësimit dhe përgjegjës për zbatimin është Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA).
Çfarë do të thotë ky udhëzim në praktikë për punëkërkuesit dhe institucionet që ofrojnë kurset profesionale
Sipas përcaktimeve të VKM-së 646/2022, kurset e formimit profesional synojnë kualifikimin dhe rikualifikimin e punëkërkuesve, me qëllim përgatitjen për integrim të shpejtë në tregun e punës dhe kanë një kohëzgjatje nga 3 deri në 12 muaj.
Cilët individë përfitojnë?
Përfitojnë dhe financohen në masën 100%, por, në asnjë rast, më të lartë se 300 mijë lekë të kostos së kursit të formimit profesional, të gjithë punëkërkuesit e papunë, të regjistruar, i cili deklaron në strukturën përkatëse, që nuk janë në marrëdhënie pune ose të vetëpunësuar dhe që janë të gatshëm menjëherë për punësim.
Përfitojnë dhe financohen në masën 50% të kostos së kursit të formimit profesional, por, në asnjë rast, më të lartë se 150 mijë lekë, punëkërkuesit me vendbanim në Shqipëri, në moshë pune, që regjistrohen si kërkues pune në strukturën rajonale/vendore dhe janë të gatshëm për punë.
Po në këtë masë përfitojnë edhe punëkërkuesit e punësuar apo të vetëpunësuar, por që në momentin e regjistrimit deklarojnë në strukturën përkatëse se kërkojnë një punë të re.
Për personat me aftësi të kufizuara, institucionit të formimit profesional, publik apo privat, i financohen elementet e përshtatjes së arsyeshme, për sa u përket programeve të veçanta të trajnimit, kurrikulës së përshtatur, në përputhje me shkallën dhe llojin e aftësisë së kufizuar, përgatitjen e instruktorëve për të ofruar trajnim të posaçëm për këtë kategori, deri në shumën 200 mijë lekë.
Kriteret për konkurrimin e institucioneve të formimit profesional, publike apo private
Sipas nenit 4 të VKM-së 646/2022, institucionet që ofrojnë kurse të formimit profesional, konkurrojnë me anë të një kërkese për të përfituar mbështetje financiare.
Kërkuesi plotëson në mënyrë kumulative kriteret e përgjithshme, si më poshtë vijon:
a) të ketë jo më pak se 3 (tre) vjet përvojë kombëtare ose ndërkombëtare në ofrimin e kurseve të formimit profesional;
b) të mos jetë në proces falimentimi ose likuidimi;
c) të mos ketë detyrime tatimore të pashlyera;
ç) të ketë të paktën 100 kursantë të trajnuar dhe të certifikuar gjatë veprimtarisë së mëparshme të tij;
d) të zotërojë një faqe interneti aktive, ku të pasqyrojë të gjithë informacionin e nevojshëm për kursantët, si katalogun e kurseve të ofruara, mënyrën e aplikimit në kurs, datat dhe afatet e zhvillimit të kursit, kurrikulën e kompetencave të kursit dhe, sipas rastit, informacionin për skemën e mbështetjes financiare për kursantët dhe tarifat përkatëse;
dh) të ketë lidhur marrëveshje me operatorë tregu për ofrimin e praktikave të punës për kursantët e certifikuar;
e) të ofrojë këshillim karriere;
ë) në rastin e personit fizik, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e ndonjë vepre penale. Për personat juridikë, të mos jetë i dënuar organi administrativ, aksionarët ose ortakët.
Ndërsa neni 5 detajon kriteret teknike që duhet të përmbushë kursi i formimit profesional i ofruar nga këto institucione, që përfshin:
a) të jetë i bazuar në një program të njohur, sipas kuadrit ligjor në fuqi, për të cilin kërkuesi zotëron të drejtën e pronësisë, të përdorimit apo, sipas rastit, certifikatë ose licencë;
b) të përmbajë si kriter pranimi, të paktën dy nga tri kriteret, e mëposhtme:
i. një testim logjik;
ii. një testim teknik/praktik, në përputhje me programin e kursit që ndiqet;
iii. një intervistë me një instruktor ose ekspert të fushës specifike, për të cilën zhvillohet kursi;
c) të zhvillohet nga një ose më shumë instruktorë të cilët plotësojnë të paktën dy nga tri kriteret e mëposhtme:
i. të kenë formimin arsimor në fushën për të cilën do të trajnohen kursantët;
ii. të kenë përvojë profesionale në fushën për të cilën do të trajnohen kursantët, në përputhje
me kriteret e licencimit për kursin përkatës;
iii. të kenë të paktën 1 (një) vit përvojë në mësimdhënie ose ofrim trajnimesh në fushën, për të
cilën do të ofrohet kursi.
Kërkuesi ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje partneriteti me ente shqiptare apo të huaja.
Procedura e konkurrimit për ofrimin e mbështetjes financiare
Kërkesa dhe dokumentacioni për pjesëmarrjen e institucioneve të interesuara të formimit profesional në skemën e mbështetjes financiare dorëzohen nëpërmjet portalit e-Albania.
Dokumentet që ngarkohen në portalin e-Albania janë, si më poshtë vijon:
a) certifikata e regjistrimit të kërkuesit pranë organit shtetëror kompetent;
b) dëshmia për gjendjen gjyqësore të anëtarëve të organit administrativ, aksionarit ose ortakut, të personit që ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrëse ose kontrolluese brenda personit juridik;
c) dëshmia që kërkuesi nuk është në proces falimentimi ose likuidimi;
ç) vërtetimi i lëshuar nga institucioni tatimor përgjegjës për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore;
d) pasqyrat financiare të audituara në 3 (tre) vjetëve të fundit;
dh) plani i detajuar i biznesit për 3 (tre) vjet;
e) deklarimi për numrin maksimal të kursantëve, që kërkohet të mbështeten nëpërmjet skemës së mbështetjes financiare;
ë) marrëveshja e partneritetit me entet shqiptare apo të huaja për mbështetjen e kurseve të formimit profesional, nëse ka;
f) lista e instruktorëve dhe mënyra e angazhimit të tyre në kursin e formimit profesional, që do të ofrohet në kuadër të skemës së mbështetjes financiare;
g) dëshmitë për kualifikimet/certifikimet/përvojën e çdo instruktori të angazhuar në kursin e formimit profesional, që do të përfshihet në mbështetjen financiare;
gj) planin mësimor për çdo kurs, për të cilin kërkohet pranim në skemën e mbështetjes;
h) kriteret e pranimit, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 5, të këtij vendimi, të kursantëve në çdo kurs të formimit profesional, që do të jetë pjesë e mbështetjes financiare;
i) listën e mekanizmave për monitorimin dhe vlerësimin e kursantëve, si: provime, sfida teknike apo projekte;
j) mekanizmi i ngritur gjatë ose pas përfundimit të kursit të formimit profesional, për këshillimin e karrierës dhe marrëveshjet për ndërlidhjen e kursantëve me operatorët e tregut të punës;
k) modeli i certifikatës që individi merr pas përfundimit me sukses të kursit të formimit profesional;
l) vetëdeklarimi për numrin e kursantëve të certifikuar gjatë 3 (tre) vjetëve të fundit dhe për shkallën/nivelin e punësimit;
ll) tarifa e zbatueshme për secilin kurs, që do të ofrohet në kuadër të skemës së mbështetjes financiare. /ekofin.al
