Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se depozitat bankare në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me tremujorin e parë janë në rënie për të gjitha rrethet. Rezulton se Lezha është rrethi/qyteti me rënien më të madhe të depozitave, me 2.3% gjatë tremujorit të dytë të vitit, ndjekur nga Vlora, me 1.8%, dhe më pas Durrësi me 1.4% rënie.
Kjo rënie vjen kryesisht si pasojë e zhvlerësimit të euros dhe monedhave të tjera, duke qenë se për arsye statistikore depozitat shprehen në Lekë nga Banka e Shqipërisë. Ajo që bie në sy nga shifrat është analiza e tyre vetëm për individët, pra qytetarët, pa përfshirë biznesin. Në të gjitha rrethet/qytetet që raporton Banka e Shqipërisë, rënia e depozitave për individët është më e lartë se rënia totale, çka do të thotë se zhvlerësimi i euros ka prekur ndjeshëm më shumë qytetarët sesa bizneset.
Në terma absolutë bëhet fjalë për rreth 20 miliardë lekë humbje nga individët në total në vetëm tre muaj, çka përkthehet në thuajse 200 milionë euro me kursin e sotëm të këmbimit. Vetëm për Tiranën kjo humbje është mbi 90 milionë euro. Këto shifra flasin qartë për efektin e zhvlerësimuit të euros në ekonominë familjare, dhe ku janë dëmtuar më shumë e ku më pak këto ekonomi. Përmasat e ecurisë së kursit të këmbimit nuk duken aspak të papërfillshme dhe nga ana tjetër këto shifra nuk reflektojnë rënien e lirë të euros gjatë muajit korrik.
