Rritja e kreditimit nga sektori bankar, sidomos përgjatë vitit 2023, por edhe gjatë këtij viti, nuk po shoqërohet me ndryshime të rëndësishme sa i përket raportit të kredive me probleme. Ky tregues, sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, ishte 4.6% për muajin tetor, pak a shumë po aq sa për muajin shtator, kur shënoi shifrën më të ulët historike, prej 4.58%.
Në përgjithësi, raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredive, një nga treguesit kyç të sektorit bankar ka qëndruar poshtë nivelit 5% përgjatë gjithë vitit 2024, që kur zbriti për herë të parë në dhjetor 2023.
Në anën tjetër, kreditimi i sektorit bankar për ekonominë, si për bizneset, ashtu edhe për individët, ka shënuar rritje domethënëse, si gjatë vitit të kaluar, ashtu edhe përgjatë këtij viti. Ndërkohë që portofoli i kredive është zgjeruar, ku kreditimi ka patur rritjen më të shpejtë të viteve të fundit, raporti i kredive me probleme nuk ka ndryshuar.
Kjo ka bërë që edhe në vlerë nominale, stoku i kredive me probleme të arrijë në 37.4 miliardë lekë, nga rreth 35 miliardë lekë që ishte në fund të vitit 2023, pra me një rritje prej 2.4 miliardë lekë.
Treguesit e tjerë të shëndetit financiar të sektorit bankar paraqiten në vlera të qëndrueshme dhe me ndryshime të vogla, krahasuar me ato të shtatorit. Ato dështojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar, megjithatë për një analizë më të plotë duhet të vlerësohen treguesit e dhjetorit, që përkon me mbylljen e vitit. /ekofin.al

