Forcimi i vazhdueshëm i Lekut kundrejt euros dhe dollarit në vitet e fundit është kthyer në një nga fenomenet më të diskutueshme të ekonomisë shqiptare. Në pamje të parë, një monedhë e fortë mund të shihet si shenjë stabiliteti makroekonomik. Megjithatë, analiza e faktorëve që e kanë prodhuar këtë zhvillim tregon një realitet më kompleks: rritja e vlerës së Lekut nuk është rezultat i një transformimi strukturor të ekonomisë apo i rritjes së konkurrueshmërisë së eksporteve, por kryesisht i flukseve të mëdha valutore që hyjnë nga jashtë, vlerëson Altax.
Në mars 2026, kursi i këmbimit euro-lek ka zbritur në nivele historike rreth 96 lekë për euro, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që intervali i tregtimit në tregun valutor luhatet rreth 95.8–96.5 lekë për euro. Ky nivel konsiderohet një nga më të ulëtit në historinë e tranzicionit ekonomik të vendit. Fenomeni bëhet edhe më i pazakontë kur merret parasysh fakti se Shqipëria vijon të ketë një deficit të lartë tregtar kronik, rreth 5–7% të PBB-së, dhe një strukturë ekonomike që mbetet ende e varur nga sektorë me produktivitet relativisht të ulët.
Në thelb, forcimi i Lekut është nxitur nga një tepricë e ofertës së euros në tregun vendas. Kjo tepricë është krijuar nga disa burime të mëdha valutore që kanë hyrë në ekonomi gjatë viteve të fundit. Një ndër faktorët më të rëndësishëm është turizmi ndërkombëtar. Në vitin 2025 Shqipëria regjistroi një rekord historik me mbi 12.4 milionë vizitorë të huaj, sipas të dhënave të INSTAT dhe Ministrisë së Turizmit, duke shënuar një rritje rreth 6–7% krahasuar me vitin 2024. Këto flukse turistike gjeneruan të ardhura valutore rreth 2.6 miliardë euro neto dhe kontribuuan në mënyrë të konsiderueshme në ekonominë kombëtare, me ndikim që vlerësohet të arrijë deri në 20–25% të PBB-së.
Një burim tjetër i rëndësishëm janë remitancat e emigrantëve shqiptarë. Sipas Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, remitancat vijojnë të jenë një shtyllë e rëndësishme për ekonominë shqiptare, duke arritur rreth 1.5–2 miliardë euro në vit, ose rreth 6–7% të PBB-së. Vetëm në nëntëmujorin e parë të vitit 2025, remitancat arritën në rreth 817 milionë euro, me një rritje prej 5.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre flukseve vlerësohet se hyn në mënyrë informale në ekonomi, përmes transportimit cash nga emigrantët ose nga rrjete familjare dhe miqësore, duke e bërë më të vështirë monitorimin e tyre në statistikat zyrtare.
Një faktor i tretë është rritja e investimeve në pasuri të paluajtshme nga diaspora dhe investitorët e huaj. Këto investime kanë nxitur një rritje të fortë të çmimeve të pronave, veçanërisht në zonat urbane dhe turistike, ku në disa raste rritja vjetore ka arritur 15–20%. Në të njëjtën kohë, investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë arritur nivele rekord, rreth 1.7 miliardë euro në vitin 2024. Sektori i pasurive të paluajtshme ka zënë një pjesë të konsiderueshme të tyre, duke përbërë deri në 23–31% të totalit sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë dhe UNCTAD.
Megjithatë, këto flukse valutore nuk janë gjithmonë plotësisht transparente. Një pjesë e remitancave dhe e investimeve në pasuri të paluajtshme mund të jetë e lidhur me fonde informale ose me riatdhesimin e kapitalit nga diaspora jashtë kanaleve bankare. Studime të ndryshme sugjerojnë se flukset informale në ekonomi mund të arrijnë deri në 4–5 miliardë dollarë në disa vite, ndërsa niveli i ekonomisë informale në Shqipëri vlerësohet rreth 30% të PBB-së.
Kjo situatë krijon një paradoks ekonomik. Nga njëra anë, një Lek i fortë ul koston e importeve dhe ndihmon në frenimin e inflacionit të importuar. Nga ana tjetër, ai rrit presionin mbi sektorët eksportues dhe mund të dëmtojë konkurrueshmërinë e prodhimit vendas në tregjet ndërkombëtare. Në këtë kuptim, forcimi i monedhës kombëtare nuk përkthehet domosdoshmërisht në një përmirësim të qëndrueshëm të strukturës ekonomike.
Analizat makroekonomike që përdorin modele të bilancit të pagesave dhe simulime ekonometrike sugjerojnë tre skenarë të mundshëm për kursin e këmbimit në periudhën 2026–2028. Skenari më i mundshëm mbetet ai i një stabiliteti të brishtë, me probabilitet rreth 55–60%, ku kursi i këmbimit mund të lëvizë gradualisht nga nivelet aktuale drejt intervalit 104–108 lekë për euro deri në vitin 2028. Në këtë skenar, rritja ekonomike pritet të mbetet rreth 3.5–3.6%, ndërsa inflacioni rreth 2.5–2.8%, vlerëson Altax.
Një skenar i dytë, me probabilitet rreth 30–35%, parashikon një korrigjim gradual të kursit drejt niveleve 105–115 lekë për euro. Ky zhvillim mund të shoqërohet me një rritje ekonomike disi më të ulët, rreth 3.2–3.4%, dhe me një rritje të moderuar të inflacionit për shkak të kostove më të larta të importeve.
Skenari më pak i mundshëm, por me ndikim më të madh, është ai i një goditjeje të jashtme, me probabilitet rreth 10–15%. Në këtë rast, kursi i këmbimit mund të dobësohet ndjeshëm deri në 115–125 lekë për euro ose edhe më shumë, ndërsa ekonomia mund të përballet me një ngadalësim të fortë ose edhe me rënie të përkohshme të PBB-së dhe rritje të inflacionit mbi 4%.
Rreziku kryesor për ekonominë shqiptare nuk është vetë dobësimi i Lekut, por varësia strukturore nga sektorë ciklikë si turizmi dhe ndërtimi. Këta sektorë janë shumë të ndjeshëm ndaj luhatjeve të ekonomisë globale, veçanërisht ndaj zhvillimeve në eurozonë, ndryshimeve të çmimeve të energjisë apo tensioneve gjeopolitike. /ekofin.al
