Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar nisjen e monitorimit të tregut të karburanteve në Shqipëri, duke vendosur në vëmendje të veçantë çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë. Sipas institucionit, procesi i monitorimit mbështetet në dispozitat e ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe synon të verifikojë nëse luhatjet e çmimeve në tregun vendas janë në përputhje me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.
Autoriteti bëri të ditur se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e karburanteve, si në nivel shumice ashtu edhe në nivel pakice, janë aktualisht nën monitorim. Institucioni thekson se në rast se vërehen luhatje të çmimeve që tejkalojnë ndryshimet e regjistruara në bursat ndërkombëtare të naftës, do të ndërmerren masat përkatëse në përputhje me kompetencat ligjore.
Çmimet duhet të ndjekin ecurinë e tregjeve ndërkombëtare
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare ndryshojnë vazhdimisht si rezultat i faktorëve të ndryshëm ekonomikë dhe gjeopolitikë. Oferta dhe kërkesa globale, kostot e përpunimit, si dhe zhvillimet në tregjet energjetike janë ndër elementët kryesorë që ndikojnë në formimin e çmimit të naftës dhe produkteve të saj.
Në këtë kontekst, sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, pritet që edhe çmimet në tregun vendas të reflektojnë në mënyrë proporcionale ndryshimet që ndodhin në bursat ndërkombëtare. Çdo devijim i pajustifikuar nga kjo logjikë, përfshirë rritje të shpejta apo më të theksuara se ato që reflektohen në tregjet ndërkombëtare, konsiderohet një tregues i mundshëm i sjelljeve jo konkurruese në treg.
Paralajmërim për praktika të mundshme anti-konkurruese
Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve, praktika që bien ndesh me logjikën e tregut ndërkombëtar apo çdo formë të mundshme koordinimi të çmimeve mes operatorëve të tregut.
Institucioni paralajmëron se çdo rast i mundshëm i koordinimit të çmimeve, abuzimit me pozitën dominuese apo praktikave të bashkërenduara mes operatorëve të karburanteve do të trajtohet sipas dispozitave të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
AK thotë se kërkon transparencë dhe mbrojtje të konsumatorit
Përmes këtij procesi monitorimi, Autoriteti i Konkurrencës synon të garantojë funksionimin normal të tregut, rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga çmime të padrejta.
Institucioni thekson gjithashtu se çdo procedurë monitorimi apo hetimi zhvillohet ekskluzivisht në bazë të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe nuk ndërhyn në kompetencat e institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend.
Monitorimi i tregut të karburanteve konsiderohet një nga proceset më të rëndësishme për ruajtjen e konkurrencës në një sektor që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe në kostot e jetesës për qytetarët dhe bizneset. /ekofin.al
